Pas marrëveshjes në Uashington, Hoti kërkon të raportojë para deputetëve

  • E.K /
  • 08 September 2020 - 13:29
Pas marrëveshjes në Uashington, Hoti kërkon të raportojë para deputetëve

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka kërkuar që të raportojë në Kuvend të Kosovës pas nënshkrimit të marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi të nisur nga Qeveria.

“Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti ka kërkuar t’i mundësohet që, në njërën nga seancat e ardhshme, të raportojë në Kuvendin e Republikës së Kosovës për Marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve ekonomike në mes të Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë”, thuhet në njoftim.

Nga Qeveria kanë publikuar edhe letrën që Hoti ka nisur për kryeparlamentaren Vjosa Osmani dhe anëtarët e kryesisë.

Hoti në këtë letër thotë se në Shtëpinë e Bardhë, është arritur një Marrëveshje e rëndësishme për vendin tonë lidhur me normalizimin e marrëdhënieve ekonomike në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“ Ky është hap shumë i rëndësishëm drejt marrëveshjes përfundimtare për normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe njohje reciproke në mes të dy shteteve. Në bazë të kompetencave dhe përgjegjësive të mia kushtetuese e ligjore, jam i gatshëm që në njërën nga seancat e radhës të Kuvendit të Republikës së Kosovës të raportoj para deputetëve për marrëveshjen në fjalë, si dhe për procesin e dialogut në përgjithësi”, shkruhet në njoftim.

(Kosova Sot Online)