Mbi 50 raste të konfirmuara me COVID-19 në burgjet e vendit

  • E.K /
  • 08 September 2020 - 15:24
Mbi 50 raste të konfirmuara me COVID-19 në burgjet e vendit

Burgjet e vendit janë kapluar nga koronavirusi i ri. Nga 13 marsi, kur u konfirmuan dy rastet e para me këtë sëmundje në vend, janë konfirmuar mbi 50 raste pozitive me COVID-19 në institucionet korrektuese të vendit.

Informacione rreth situatës epidemiologjike në këto institucione kanë dhënë në Shërbimin Korrektues të Kosovës.

Zëdhënësi i SHKK’së, Florent Gashi, ka thënë se që nga fillimi i pandemisë janë konfirmuar 51 raste me COVID-19 nëpër institucionet korrektuese të vendit.

Nga këto raste, shumica e të infektuarve janë zyrtarë korrektues.

Por, jo të gjitha këto raste janë aktive.

“Nga filimi i pandemisë e deri në këto momente, të infektuar me COVID-19 janë 6 të burgosur dhe 45 zyrtarë kotrektues. Aktualisht 14 raste janë aktive, pra 4 të burgosur dhe 10 zyrtarë korrektues janë të infektuar aktualisht”, ka thënë Gashi.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë konfirmuar 95 raste të reja me COVID-19.

Me këtë shifër, numri i të infektuarve ka arritur në 14 mijë e 301, me gjithsej 568 raste të vdekjeve, të cilët kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.

IKSHP’ja ka njoftuar edhe për shërimin e 139 pacientëve dhe se numri i rasteve aktive është 2 mijë e 951.

“Numri total i rasteve pozitive është 14.301 raste nga 54.924 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 568 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 139 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 10.782 raste, kurse numri i rasteve aktive është 2.951”, thuhet në njoftimin e fundit të IKSHP’së.

(Kosova Sot Online)