Komisioni Europian miraton ndihmën mbi 138 milionë euro për Kosovën

  • E.K /
  • 09 September 2020 - 13:45
Komisioni Europian miraton ndihmën mbi 138 milionë euro për Kosovën

Kosova do të përfitojë mbi 138 milionë euro nga Bashkimi Evropian në kuadër të programeve IPA 2019 dhe IPA 2020.

Komisioni Evropian ka miratuar mbi 138 milionë euro asistencë për Kosovën të cilat janë nënshkruar nga dy palët.

“Nga kjo shumë, 50 miliona Euro janë ri-programuar për t’i trajtuar pasojat sociale dhe ekonomike të krizës nga COVID 19 në afat të shkurtër dhe të mesëm. Do të përkrahen sektorët vijues: Demokracia dhe Qeverisja (Përafrimi me BE), Sundimi i Ligjit dhe të Drejtat Themelore, Mjedisi, Veprimi Klimatik dhe Energjia, Konkurrenca, Inovacioni, Bujqësia dhe Zhvillimi Rural, Arsimi, Punësimi dhe Politikat Sociale”, thuhet në njoftimin e Zyrës së BE’së në Kosovë.

BE tani është në pritje të ratifikimit të këtyre marrëveshjeve nga institucionet e Kosovës në mënyrë që ta nisë zbatimin.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së, Tomas Szunyog, mirëpriti nënshkrimin e Programeve Vjetore të Veprimit IPA 2019 pjesa II dhe 2020 për Kosovën.

“ BE-ja ka punuar shumë për ta ri-programuar një pjesë të madhe të asistencës sonë për t’i përmbushur nevojat e njerëzve në Kosovë që janë prekur nga COVID-19. Përkrahja jonë do ta forcojë mbrojtjen sociale, do t’i përkrahë bizneset e vogla dhe do të ndihmojë në stabilizimin e financave publike. Unë u bëj thirrje institucioneve të Kosovës që tani t’i ratifikojnë këto programe sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Szunyog.

(Kosova Sot Online)