Sekretari i OVL të UÇK-së: Në dosje ishin edhe komunikimet e Prokurorisë Speciale me atë të Serbisë

  • G.G /
  • 10 September 2020 - 11:44
Sekretari i OVL të UÇK-së: Në dosje ishin edhe komunikimet e Prokurorisë Speciale me atë të Serbisë

Sekretari i OVL UÇK-së, Faton Klinaku, tha se në dosjet që iu sollën në zyre të tyre kanë parë komunikime mes Prokurorisë Speciale dhe Prokurorisë së Serbisë për intervista që kanë ndodhur gjatë dhe pas luftës.

Mirëpo, Klinaku tha se këto intervistime në Serbi u bënë nën presion dhe sikur të mos përgjigjeshin do të mund edhe të vriteshin.

“Ata vazhdimisht komunikojnë me prokurorinë e pushtuesit serb dhe dosjet jo vetëm të kësaj gjykate, por edhe të UNMIK-ut dhe EULEX-it kanë bashkëpunuar me Serbinë për t’i akuzuar ish-luftëtarët e UÇK-së. Çdo gjë që heton Serbia e dimë që e bën me qëllime të caktuara dhe ka shpifur për krime lufte. Kemi kërkuar që të ketë gjykatë vendore që ta bëjë këtë, por deputetët e kanë bërë një gabim të madh kur e kanë votuar Gjykatën Speciale. Ne kemi kërkuar që të ndryshohet ligji rreth kësaj gjykate që të heton të gjitha krimet e luftës”, ka deklaruar ai.

Por, çfarë përmbajnë këto dosje?

“Ka ripërsëritje të këtyre intervistave dhe ka komunikime të Prokurorisë Speciale me atë të Serbisë që me emra të këtyre dëshmitarëve kërkojnë t’i intervistojnë njerëzit. Janë të vitit 2008,2009, 2015 komunikime të vazhdueshme që kërkojnë t’i intervistojnë ata njerëz që i kanë intervistuar ata. Ka serbë dhe shqiptarë, romë dhe turq”, ka deklaruar Klinaku.

(Kosova Sot Online)