Si e goditi dje Agim Veliu Vjosa Osmanin në prani të Lutfi Hazirit

  • G.G /
  • 10 September 2020 - 13:34
Si e goditi dje Agim Veliu Vjosa Osmanin në prani të Lutfi Hazirit

Nënkryetarët e LDK’së, Agim Veliu e Lutfi Haziri patën dje një paraqitje të përbashkët para mediave nga komuna e Gjilanit. Dy vartësit e Isa Mustafës në Lidhjen Demokratike u pyetën për deklarimet e kryeparlamentares Vjosa Osmani për dalje nga partia. Para mediave me tone të rënda foli vetëm Ministri i Punëve të Brendshme.

Media e afërt me kryetarin e Gjilanit, Lutfi Hazirin, dje raportoi për mundësinë e bashkimit të nënkryetarit të LDK’së, në partinë e re që pritet ta formojë kryeparlamentarja Vjosa Osmani, muaj pas përjashtimit nga Lidhja Demokratike.

Sipas këtij mediumi, Haziri e Osmani kanë mbajtur një takim të gjatë ku është diskutuar për këtë temë, e ky raportim erdhi në ditën kur në media u publikuan disa emra të mundshëm që do t’i bashkohen Osmanit në iniciativën qytetare.

Pas këtyre raportimeve me një mesazh të shkurtë në Facebook reagoi Haziri, duke shkruar sloganin e zgjedhjeve të tetorit, me të cilin LDK’ja garoi me Osmanin si kandidate për kryeministre.

Derisa Haziri thotë se duhet të besohet se LDK’ja është bashkë, kolegët e tij nuk po i ndalin akuzat ndaj kryeparlamentares.

Si jo rrallë herë me tone më të ashpra deklarohet Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu. Dje gjatë ditës, pas një takimi që pati në Gjilan me kolegun e tij të partisë, Lutfi Hazirin, ministri komentoi edhe daljen e Osmanit nga LDK’ja.

 “Lidhja Demokratike deri tash është tregu historikisht që nuk mund ta ndajë askush, mund të ndahen individë, kushdo qofshin por LDK është vshtirë të ndahet”, ka thënë ai.

Sipas tij, LDK është parti që ju ka qëndru përpara edhe shumë stuhive tjera, e Vjosa Osmani ka kohë që ka punuar kundër këtij subjekti.

“LDK është parti tepër mirë e organizuar, parti politike që ju ka qëndruar shumë stuhive dhe nuk e besoj që mund ta ndajë dikush LDK’në aq më pak Vjosa Osmani e cila ka kohë që punon kundër LDK’së ajo ka kohë që është jashtë LDK’së me punë dhe veprime, me trup ka qenë në LDK deri më tash”, ka thënë Veliu para gazetarëve.

Ani pse Veliu pati akuza të rënda drejt kryeparlamentares, këtë temë zgjodhi që mos ta komentojë vetë Haziri.

Haziri pas një kohe kritika ndaj kabinetit qeveritar, e kryeministrit Hoti në veçanti, tha se javët e fundit ka parë një përmirësim në punën e Qeverisë. Megjithatë, ai nuk komentoi ndonjë nga përplasjet që po ndodhin brenda partisë.

Haziri kishte dalë kundër nominimit të Avdullah Hotit për kryeministër pas rrëzimit të Albin Kurtit, derisa, pati treguar edhe ambiciet e tij që vet të propozohet në këtë pozitë.

Pas krijimit të Qeverisë Hoti ai  kishte thënë se nuk i beson këtij ekzekutivi derisa në vazhdimësi është deklaruar kundër vendimeve të marra.

Deri më tani nënkryetari i LDK’së, nuk ka deklaruar nëse ka biseduar me Osmanin për partinë e re.

 

#LDK bashke!Beso!

Publiée par Lutfi Haziri sur Mercredi 9 septembre 2020

(Kosova Sot Online)