Kthehet në rigjykim nga Apeli rasti i ministres Haradinaj-Stublla

  • E.K /
  • 11 September 2020 - 12:09
Kthehet në rigjykim nga Apeli rasti i ministres Haradinaj-Stublla

Gjykata e Apelit të Kosovës përmes një komunikate për media ka konfirmuar se ka kthyer në rigjykim rastin e ministres së Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, e cila akuzohet për raportim të rremë të pasurisë.

“Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 04.10.2019 është anuluar sipas detyrës zyrtare, dhe çështja penale i është kthyer gjykatës së njëjtë, në rigjykim dhe vendosje”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se Gjykata Themelore, e kishte shpallur fajtor të akuzuarën, rreth një vit më parë, për shkak të veprës penale “Mosraportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”. Për këtë ajo ishte dënuar më 8 muaj burgim me kusht, në afatin e verifikimit prej 1 viti, si dhe dënimi me gjobë, në shumën prej 1.000 eurove.

Gjykata e Apelit thekson se ka gjetur se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ngase dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është në kundërshtim me vetveten, si dhe me arsyetimin, pasi që nuk përmban fakte vendimtare të cilat e karakterizojnë veprën penale.

“Po ashtu nga shkresat e lëndës rezulton se gjykata e shkallës së parë, me aktgjykimin nxjerrë, nuk i ka vërtetuar në mënyrë të drejtë elementet inkriminuese të veprës penale, e cila i vihet në barrë të akuzuarës, sepse fillimisht është dashur që të vërtetoj elementet të cilat e karakterizojnë veprën penale, që nënkupton në përshkrimin faktik dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është i mangët. Për këto dhe arsye tjera, u vendos që çështja të kthehet në rigjykim”, thuhet në komunikatë.

(Kosova Sot Online)