Kurti kujton sulmet e 11 shtatorit, përmend afërsinë e shqiptarëve me amerikanët

  • S.A /
  • 11 September 2020 - 12:53
Kurti kujton sulmet e 11 shtatorit, përmend afërsinë e shqiptarëve me amerikanët

Ish-kryeministri Albin Kurti, ka kujtuar sulmet e Kullave Binjake në Nju Jork. Thotë se të vrarët dhe të plagosurit nga ai sulm janë pasoja të terrorizmit që “kurrë nuk mund ngadhënjejë”.

“Që nga viti 2001, në ditën e 11 shtatorit, kujtojmë e nderojmë, me dhembje e solidaritet, familjet e të vrarëve dhe mbarë kombin amerikan. 2977 viktimat e pafajshme dhe mijëra të tjerë të plagosur e të lënduar janë pasoja e paharrueshme e terrorizmit i cili kurrë nuk mund të ngadhënjejë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje kujton se në sulmin e 11 shtatorit u vranë edhe tre shqiptarë, e kjo, sipas Kurtit, shton afërsinë shqiptaro-amerikane në çdo kohë.

“Në mesin e viktimave ishin edhe tre shqiptarë, që u bënë shprehje shtesë e afërsisë shqiptaro-amerikane, në çdo rrethanë dhe kohë. Terrori i 11 shtatorit la vrragë të thellë, por, më shumë bashkoi sesa që ndryshoi botën. Kullat Binjake nuk janë më, por Kulla e Lirisë, edhe më e lartë, është aty tani”, thotë tutje postimi i Kurtit.

(Kosova Sot Online )