Mjekët protestojnë në Londër, kërkojnë rritje pagash

  • E.K /
  • 12 shtator 2020 - 15:16
Mjekët protestojnë në Londër, kërkojnë rritje pagash

Punëtorët shëndetësorë kanë protestuar sot në Londër për të kërkuar rritje të pagave.

Pas dy minutave nderim të 640 punëtorëve shëndetësorë që kanë vdekur gjatë pandemisë së koronavirusit filluan të ecnin nëpër sheshin “Trafalgar”.

Protestuesit u panë duke mbajtur në duar pankarta në të cilat shkruhej “Ndalini duartrokitjet, fillojini pagesat”, “të paçmueshëm por pa të holla” dhe “640 punëtorë shëndetësorë të vdekur, gjak në duart e tyre”.

Infermierët u përjashtuan nga një rritje pagash për rreth 900,000 punëtorë të sektorit publik në korrik për shkak se ata janë në vitin e fundit të një marrëveshjeje trivjeçare.

Rritja e pagave e këtij viti nuk vlen as për mjekët për shkak se ata vitin e kaluar arritën marrëveshje katërvjeçare me qeverinë.

Protestuesit kërkuan rritje page prej 15 për qind. Përpos në Londër, protesta të punëtorëve shëndetësorë u mbajtën edhe në Manchester, Sheffield, Brighton dhe Bournebouth.

(Kosova Sot Online)