Ky është politikani 71-vjeçar që pritet të bëhet kryeministër i Japonisë

  • E.K /
  • 14 September 2020 - 11:40
Ky është politikani 71-vjeçar që pritet të bëhet kryeministër i Japonisë

Yoshihide Suga pritet të bëhet kryeministër i Japonisë pasi e mori miratimin për t’u bërë kryetar i partisë në pushtet pas dorëheqjes së kryeministrit të deritashëm, Shinzo Abe.

Pjesa më e madhe e deputetëve të Partisë Liberaldemokrate nga të dyja dhomat e Kuvendit dhe përfaqësuesit e prefekturave i dha përkrahje Sugas, i cili ka qenë njeri besnik i Abes. Miratimin për kryetar partie e mori me 377 vota nga 534 të mundshme. I dyti ishte ish-ministri i Jashtëm, Fumio Kishida, me vetëm 89 vota.

Suga ka qenë fytyrë publike e administratës së Abes për gati tetë vjet si zëdhënës kryesor i qeverisë. Ai pritet të zgjidhet zyrtarisht kryeministër pas votimit në të dyja dhomat e Kuvendit të mërkurën, shkruan The Guardian.

Djali i një fermeri të dredhëzave në pjesën veriore të Japonisë u bë shpejt figurë favorite për ta zëvendësuar ish-kryeministrin Abe që dha dorëheqje muajin e kaluar për arsye shëndetësore.

Duke premtuar se do të ndërtojë një kabinet qeveritar që do të punojë për popullin, ai tha: “Do t’ua kushtoj tërë veten time Japonisë dhe popullit japonez”.

Detyrat më urgjente të tij do të jenë mbajtja nën kontroll e numrit të rasteve të koronavirusit, të cilat ditëve të fundit kanë shënuar rënie, dhe nxjerrja e ekonomisë nga recesioni dhe efektet negative të pandemisë.

(Kosova Sot Online)