Në Indonezi, ata që refuzojnë ta vendosin maskën dënohen me hapje të varreve për viktimat e virusit

  • G.G /
  • 14 September 2020 - 12:46
Në Indonezi, ata që refuzojnë ta vendosin maskën dënohen me hapje të varreve për viktimat e virusit

Personat që refuzojnë të vendosin maska në ishullin Java të Indonezisë janë urdhëruar të hapin varre për viktimat e koronavirusin si ndëshkim.

Tetë persona që refuzuan të vendosin maska në Gresik u detyruan të hapin varre në varreza publike në fshatin Ngabetan, shkruan Daily Mail.

Kryetari i distriktit Cerne tha: “I kemi vetëm tre punëtorë për hapjen e varreve për momentin, prandaj mendova që mund t’i vë këta njerëz të punojnë me ta. Shpresoj që kjo t’i parandalojë shkeljet e ardhshme.”

Banorët që nuk i respektojnë rregullat mund të ndëshkohen me gjoba ose shërbim të detyrueshëm për komunitetin dhe kjo gjë është e rregulluar me ligj në këtë pjesë të botës.

Një ditë më parë, Indonezia i regjistroi 3,636 raste të reja të koronavirusit, duke e çuar në 218,382 shifrën e përgjithshme të të prekurve.

Numri më i madh i rasteve është shënuar në Jakarta – mbi 54,000 – dhe në vendin e dytë radhitet Java me më shumë se 38,000 persona të infektuar.

(Kosova Sot Online)