Shkrimtarja kanadeze, Margaret Atwood, fiton Çmimin letrar Dayton për paqe

  • A.P /
  • 14 shtator 2020 - 16:03
Shkrimtarja kanadeze, Margaret Atwood, fiton Çmimin letrar Dayton për paqe

Margaret Atwood e ka fituar një çmim për arritje jetësore, i cili jepet për meritat në forcimin e paqes, drejtësisë sociale dhe mirëkuptimit global përmes letërsisë.

Zyrtarët e këtij çmimi të dalluar letrar thanë të hënën se shkrimtarja do ta pranojë çmimin e Richard Holbrooket. Ky çmim e mban emrin e diplomatit të ndjerë amerikan, Richard Holbrooke, i cili kishte ndërmjetësuar për arritjen e marrëveshjes së paqes në Bosnjë.

 

Atwood shkruan poezi, prozë fiktive dhe jofiktive, ese dhe libra komikë. Ajo është vlerësuar lart për romanin e njohur të vitit 1985, “The Handmaid’s Tale”, ku paraqitet një shtet totalitar, i njohur si Gilead, që e ka rrëzuar qeverinë e Shteteve të Bashkuara.

Sharon Rab, themeluese dhe drejtoreshë e fondacionit për Çmimin Letrar Dayton për Paqe, e vlerësoi lart punën e shkrimtares kanadeze për edukimin e njerëzve rreth drejtësisë sociale dhe çështjeve mjedisore.

“Margaret Atwood vazhdon të na rikujtojë se gjithçka mund të ndodhë gjithkund, nëse krijohen rrethanat e duhura dhe mu tani, me rritje të përbuzjes për institucionet demokratike, mësimet e saj janë më jetike se kurrë më parë”, tha Rab.

Atwood e sheh veten në anën e njerëzve realistë, por në krahun e optimistëve, sepse, siç thotë ajo, “nëse je pesimist, nuk bën asgjë”.

(Kosova Sot Online)