Dështon seanca fillestare ndaj të akuzuarit për keqpërdorim të pozitës zyrtare

  • G.G /
  • 16 September 2020 - 12:20
Dështon seanca fillestare ndaj të akuzuarit për keqpërdorim të pozitës zyrtare

Për shkak të mungesës së të akuzuarit për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Nexhmi Selmani, ka dështuar të mbahet seanca fillestare ndaj tij e paraparë të mbahej të martën, në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Ndaj të njëjtit, gjykata kishte lëshuar urdhëresë për përcjellje, por policia nuk e ka ekzekutuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me këtë, gjykatësja Alltën Murseli, tha se do ta përsërisë këtë urdhëresë.

Ndryshe, në këtë seancë ishin prezent prokurori Arian Gashi, si dhe mbrojtësi i të akuzuarit Selmani i caktuar sipas detyrës zyrtare, avokati Mejdi Behari.

Seanca fillestare është ricaktuar më 21 shtator 2020, në ora 13:00.

Sipas aktakuzës së ngritur më 25 gusht 2020, nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, i pandehuri Nexhmi Selmani akuzohet se më 16 korrik 2020, duke shfrytëzuar pozitën zyrtare dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete apo personin tjetër, nuk i ka përmbushur detyrat e tij në atë mënyrë që në cilësinë e rojës së pyllit, me vulën nr.G-PP-1 me të cilën ka qenë i ngarkuar vetëm ai, ka mundësuar damkosjen (vulosjen) e një sasie drunore teknike prej 8m+6m të llojit “bung” dhe “qarr”, ndërsa në dy fletë përcjellëset të Agjencisë Pyjore të Kosovës të lëshuara nga ai në emër të këtyre drunjtëve kishte evidentuar sasi të masës drunore prej 4m+4m vetëm të llojit “Ah”.

Siç thuhet në aktakuzë, pa i matur dhe pa e ditur prejardhjen e tyre se ku ishin prerë ato, i ka ndarë në dy kamion, të cilët dru ishin ndarë në dy pjesë nga 2 metra në dy kamion, njëri me transportues S.M dhe tjetri H.Z.

Gjithnjë sipas aktakuzës, kamionët ishin ndaluar dhe drunjët ishin konfiskuar nga Policia kufitare e Kosovës e më pas ishin dërguar në terminalin doganor për procedura të mëtejme.

Për këtë, ai po akuzohet për kryerjen e veprës penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

(Kosova Sot Online)