Fillon në Bruksel rundi i katërt i bisedimeve mes Greqisë dhe Turqisë

  • E.K /
  • 17 September 2020 - 11:26
 Fillon në Bruksel rundi i katërt i bisedimeve mes Greqisë dhe Turqisë

Ministria e Mbrojtjes e Turqisë njoftoi se ka filluar takimi i katërt teknik mes delegacioneve ushtarake të Greqisë dhe Turqisë në selinë qendrore të NATO-s në Bruksel. Në këtë takim do të diskutohet për metodat e zvogëlimit të rrezikut nga incidentet në Mesdheun Lindor.

Bisedimet që po zhvillohen në Bruksel u planifikuan gjatë një takimi mes presidentit turk, Rexhep Erdogan, dhe sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Takimi i parë teknik mes palëve u mbajt më 10 shtator.

Greqia i ka kontestuar aktivitetet e fundit të Turqisë për eksplorimin e burimeve energjetike në Mesdheun Lindor, duke pretenduar se vendi fqinj ka ndërhyrë në ujërat greke afër ishujve të vegjël grekë.

Turqia ka dërguar anije eksploruese në Mesdhe për të kërkuar burime energjetike në det, duke thënë se Ankaraja dhe Republika Turke e Qipros Veriore kanë të drejta në rajon.

Zyrtarët turq kanë thënë se dialogu për ndarjen e drejtë të burimeve natyrore do të jetë një rast ku të gjitha palët do të fitojnë, shkruan Anadolu,

(Kosova Sot Online)