“FOL” akuzon Qeverinë për mos respektim të masave antiCOVID-19

  • E.K /
  • 17 September 2020 - 13:40
 “FOL” akuzon Qeverinë për mos respektim të masave antiCOVID-19

Lëvizja “FOL” ka shprehur shqetësimin e saj për moszbatim të vendimeve të institucioneve për parandalimin dhe luftimin e COVID-19, nga vetë institucionet publike.

Mexhide Demolli- Nimani, drejtore Ekzekutive e Lëvizjes FOL, tha në një konferencë për media se me vendimin e datës 28 korrik 2020, në pikën 11 të saj, institucionet publike obligohen që të menaxhojnë paraqitjen e stafit në punë në përputhje me manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19.

“Për t’u mbrojtur nga pandemia COVID-19 dhe për të parandaluar përhapjen e saj, një ndër masat e përgjithshme është paraparë edhe mbajtja e distancës, e cila është e pamundur  te sigurohet nëse fillohet puna me staf dhe me orar të plotë nëpër institucionet shtetërore, ku numri i të punësuarve është relativisht i madh”, tha ajo.

Erblin Hoxha, koordinator në Lëvizjen FOL, tha se kanë pranuar raportime nga punonjësit e institucioneve publike, të cilët përmes email-ave janë njoftuar nga zyrtarët përgjegjës për rikthimin e tyre në vendin e punës me orar të plotë që nga e hëna e kësaj jave.

“Duke qenë se hapësirat e këtyre institucioneve nuk janë të bollshme në krahasim me numrin e lartë të të punësuarve, ministritë nuk i përmbushin standardet për distancë fizike. Edhe pse statistikat për dënimet e shqiptuara ndaj qytetareve dhe bizneseve janë publiku, e ku janë mbi 18 mijë dënime të shqiptuara për mos mbajtje të maskës, apo distancës, ne nuk kemi shifra sa i përket dënimeve të shqiptuara për personat zyrtar apo institucionet publike për mos-respektim masave antiCOVID”, tha Hoxha.

Marrë parasysh bazën ligjore në fuqi, Lëvizja FOL konsideron se masat e marra nga Qeveria e Kosovës nuk janë duke u respektuar nga institucionet përkatëse dhe e vlerëson si të paligjshme vendimin e disa institucioneve publike për rikthim në punë të të gjithë stafit, me orar të plotë, pa vendim zyrtar.

Lëvizja FOL me këtë rast ka shtruar edhe tri kërkesa për institucionet e Kosovës për menaxhimin e pandemisë me koronavirus.

FOL thotë se Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë duhet të limitojnë kohën deri kur vendimet për kufizimet e tilla janë në fuqi apo kur duhet të rishikohen, si dhe të adoptojnë vendimet qeveritare sipas ligjit të ri për parandalimin e pandemisë.

Qasja në informata të sakta duhet të jetë më e lehtë dhe i gjithë procesi të jetë me transparent dhe institucionet publike duhet të kenë koordinim më të mirë në mes tyre, në mënyrë që trajtimi i zyrtarëve civilë në institucione publike të mos jetë i bazuar në preferencat individuale të udhëheqësve të atyre institucioneve, por të jetë uniform për të gjithë.

(Kosova Sot Online)