OBSh-ja thotë se shkalla e përhapjes së virusit në Evropë është alarmante

  • E.K /
  • 17 September 2020 - 14:49
 OBSh-ja thotë se shkalla e përhapjes së virusit në Evropë është alarmante

Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropë, Hans Kluge, paralajmëroi për shkallë alarmante të përhapjes së sëmundjes Covid-19 në Evropë dhe ua tërhoqi vërejtjen shteteve kundër shkurtimit të kohës së karantinës.

Kluge tha se numri i rasteve të koronavirusit në shtator duhet të shërbejë si thirrje zgjimi për të gjithë. “Ndonëse këta numra pasqyrojnë testim më gjithëpërfshirës, ata gjithashtu tregojnë shkallë alarmante të përhapjes në rajon”, tha ai gjatë një konference për gazetarë nga Kopenhaga, e cila u mbajt përmes internetit.

Ky zyrtar i lartë gjithashtu tha se Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk do ta ndryshojë udhëzimin për karantinë dyjavore për të gjithë ata që janë ekspozuar ndaj koronavirusit, shkruan The Guardian.

“Rekomandimi ynë për karantinë prej 14 ditësh është mbështetur në të kuptuarit tonë të periudhës së inkubimit dhe përhapjes së sëmundjes. Ne do ta rishikonim këtë vetëm duke u mbështetur në një ndryshim të të kuptuarit tonë të shkencës”, tha Catherine Smallëood”, zyrtare e lartë për emergjenca në OBSh.

Në Francë, gjatësia kohore e karantinës për personat e ekspozuar ndaj koronavirusit është shkurtuar në shtatë ditë.

Në Britani të Madhe dhe Irlandë kjo periudhë është dhjetë ditë, ndërsa edhe disa shtete tjera janë duke e shqyrtuar mundësinë e shkurtimit të karantinës.

(Kosova Sot Online)