Shala për Marrëveshjen e Uashingtonit: Kemi të bëjmë me zotime të ndara, para palës së tretë

  • A.P /
  • 17 September 2020 - 21:48
Shala për Marrëveshjen e Uashingtonit: Kemi të bëjmë me zotime të ndara, para palës së tretë

Deputeti i LDK’së, Kujtim Shala, ka thënë në Kuvendin e Kosovës se në Uashington nuk janë marrë vesh Kosova dhe Serbia por ato janë zotuar para një pale të tretë, pra SHBA’së.

“Kjo nuk është një marrëveshje, askush me askënd nuk është marrë vesh për asgjë. Kjo nuk është marrëveshje e Kosovës me Serbinë. Ne kemi të bëjmë me një kategori tjetër të njohur në Ligjin ndërkombëtar. Kemi të bëjmë me zotime të ndara, para palës së tretë”, deklaroi Shala.

Ndërsa në lidhje me Liqenin e Ujmanit, Shala deklaroi se liqeni nuk do të ndahet, pasi është në pronësi të Kosovës.

“Ujmani është pronë e Iber-Lepencit, nuk është e ndarë dhe ndodhet në territorin e dy shteteve. Çështja e pronësisë nuk është hapur dhe nuk do të hapet nga askush. Një palë e tretë nuk bën studim për dy palë tjera, por e bën për vete. Studimet për këtë liqe Kosova i ka”, tha deputeti Shala.

Ai foli edhe për Asocacionin me shumicë serbe, duke thënë se ajo çështje ka vetëm një marrëveshje.

“Ka vetëm një marrëveshje të vitit 2013, të Asociacionit, një dokument të parimeve të vitit 2015 dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila thotë se të themelohet Asociaconi, në bazë të Kushtetueses. Unë i jap të drejtë që as kjo qeveri e as tjetër, nuk do të vërë në peshore çështjen e integritetit territorial të Kosovës”, deklaroi Kujtim Shala.

(Kosova Sot Online)