Bashkimi Evropian tregon nëse kanë caktuar afat kohor për dialogun Kosovë – Serbi

  • E.K /
  • 18 September 2020 - 14:15
Bashkimi Evropian tregon nëse kanë caktuar afat kohor për dialogun Kosovë – Serbi

Bashkimi Evropian nuk ka caktuar një datë për përfundimin e dialogut Kosovë – Serbi, ka bërë të ditur të premten zëdhënësi i BE-së, Peter Stano. Në një konferencë për media, Stano ka thënë se BE-ja nuk është e interesuar të vendosë “afat kohor artificial”, teksa ka shtuar se “as nuk është e interesuar të zgjatet pa fund”.

“Për ne është me rëndësi të mos vendosim afat kohor artificial, por nuk jemi të interesuar të zgjasim këtë proces pafund. Interesi është të ndihmojmë dy palët që të arrihet një marrëveshje të përbashkët, ligjërisht obligative, për normalizim të raporteve. Koha është në duart e tyre sepse në fund kërkohet vullneti i tyre për t’u marrë vesh. Nuk imponojmë asgjë, ne jemi ndërmjetësues”, ka thënë Stano, duke mos treguar nëse fillimisht do të ketë marrëveshje përfundimtare, apo do të pritet vlerësimi i implementimit të marrëveshjeve të deritashme.

Stano ka refuzuar të komentojë edhe deklarimet e palëve pas takimit të së enjtes në Bruksel, teksa ka shtuar se “më e rëndësishmja është që dialogu dhe bisedimet po vazhdojnë e se temat po diskutohen një nga një”.

Ai nuk ka pranuar të komentojë as për çështjen e dokumenteve të Gjykatës Speciale që përfunduan në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke thënë se “për këto incidente nuk i takon BE-së të komentojë”.

(Kosova Sot Online)