Shpallet konkursi ndërkombëtar për dizajnimin e sheshit të Rahovecit

  • E.K /
  • 19 September 2020 - 11:35
Shpallet konkursi ndërkombëtar për dizajnimin e sheshit të Rahovecit

Drejtoria për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Rahovecit, me mbështetje teknike te UN-Habitatit, kanë përmbyllur fazën e konsultimit me qytetarë dhe ekspertë, analizës së zonës qendrore të qytetit dhe e kanë shpallur konkursin ndërkombëtar për dizajnimin e sheshit të Rahovecit.

Më 1 shtator është shpallur konkursi, i cili do të qëndrojë i hapur deri më 16 nëntor të këtij viti.

Konkursi ndërkombëtar për Sheshin Qendror të Rahovecit është bërë publik nga media më e lexuar në botë për arkitekturë, ArchDaily, pastaj InfoDesigners, Bustler, E-architecht, Archiecho, ONUP Magazine, Architextures Imprints, e shumë media të tjera të arkitekturës në gjuhë të ndryshme.

Drejtori i Drejtorisë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, Rumir Zhuniqi ka thënë  se është i kënaqur me rrjedhën e procesit deri në këtë fazë.

Ai ka theksuar se ky projekt është karakterizuar nga kritere të larta të profesionalizmit, sepse para se të shpallet konkursi është bërë analizë e detajuar e zonës dhe komplet qytetit të Rahovecit, që projekti të jetë sa më i qëndrushem dhe afatgjatë.

“Që nga marrja e detyrës në Komunën e Rahovecit si drejtor i Urbanizmit, në vazhdimësi synim parësor e kam pasur projektimin dhe ndërtimin e Sheshit Qendror të Rahovecit, i cili për Komunën tonë është projekt i madh sepse kërkon ndërhyrje në infrastrukturën dhe mobilitetin urban të qytetit që përfshinë një sipërfaqe prej 4.49 hektar e që natyrshëm është edhe zonë qendrore e qytetit, zonë që do të trajtohet në konkurs është vendi ku momentalisht është stadioni i futbollit, parku i qytetit dhe pronat tjera komunale përreth. Me përkrahjen e kryetarit Smajl Latifi kemi ndjekur një proces të gjatë, por jashtëzakonisht transparent dhe gjithëpërfshirës deri te ardhja e shpalljes së këtij konkursi”, tha ai.

Zhuniqi e ka falënderuar ekipin e UN-Habitatit për mbështetjen teknike që i ka dhënë procesit si dhe bashkëpuntorët në Komunën e Rahovecit të përfshinë në këtë proces. Ai ka thënë se ky shesh është i rëndësishëm për qytetarët e komunës së tij dhe ka treguar se qytetarët kanë shprehur një interesim të madh dhe janë përfshirë në përpilimin e konceptit kryesor për dizajnimin e sheshit.

“Bashkë me UN-Habitatin dhe ekipin komunal për planidikim të formuar për këtë proces kemi kaluar faza të ndryshme, mes tyre edhe konsultimin me qytetarë, të cilët realisht kanë dhënë ide, sugjerime dhe propozime se si do të duket ky shesh. Në bazë të ideve e propozimeve të tyre janë dhënë edhe detyrat në konkurs e juria profesionale bazuar në këto detyra do të vendosë për dizajnin dhe zgjidhjen më të mirë të propozuar nga aplikuesit në konkurs. Shpallja e fituesve do të bëhet me 12 dhjetor të këtij viti”, tha ai.

Konkursi është shpallur përmes një webfaqe të veçantë, www.centralsquare-rahovec.info, në të cilën janë publikuar të gjitha informatat e nevojshme, anëtarët e jurisë, datat dhe çmimet për fituesit potencial.

Në këtë projekt janë të përfshirë pesë anëtarë jurie, tre ndërkombëtarë dhe dy vendorë, secili prej tyre me bagazh të madh profesional në fushën e planifikimit urban dhe arkitekturës. Çmimet do të jenë për vendin e parë, të dytë, të tretë dhe çmimi i publikut.

(Kosova Sot Online)