Mustafa krenar me Hotin: Aksioni i Karaçevës i suksesshëm, zvogëloi kokat e krimit

  • A.P /
  • 20 shtator 2020 - 17:21
Mustafa krenar me Hotin: Aksioni i Karaçevës i suksesshëm, zvogëloi kokat e krimit

Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa, e vlerëson të suksesshëm aksionin e Policisë së Kosovës në Karaçevë. E quan të domosdoshëm. Ai i është kundërpërgjigjur Albin Kurtit i cili tha se krimi u kap për bishti, pasi koka sipas tij mund të jetë në Prishtinë. Mustafa thotë se është koha të vlerësohen veprimet, jo deklaratat shterpe

Lideri i LDK’së, Isa Mustafa, po vlerëson se aksioni i policisë në Karaçevë ka goditur në kokë krimin e organizuar. Ka thënë se me këtë aksion janë zvogëluar kokat e krimit.

Në këtë formë, Mustafa e ka përshkruar aksionin e Policisë dhe Prokurorisë që goditën një rrjet të krimit në kufi me Serbinë ku luheshin lojëra të fatit në mënyrë ilegale.

 “Vlerësoj se aksioni ka qene i domosdoshëm dhe i suksesshëm. Lufta kundër krimit dhe korrupsionit duhet të përkrahet nga të gjithë.  Dikush mund të krijojë figura të bishtit dhe kokës, por e vërteta është se lufta e çdo krimi është luftë e kokës ose një kokë më pak e krimit”, ka deklaruar kreu i LDK’së.

Reagimi i Mustafës vjen një ditë pasi ish-Kryeministri Albin Kurti tha se goditja e krimit në kufi me Serbinë nuk është goditje e krimit në kokë.

Këto komente të kryeopozitarit, Mustafa i ka quajtur “deklarata shterpe”

“Koha është të vlerësohen veprimet e jo deklaratat shterpe”, ka thënë Mustafa.

I pari i LDK’së ka përgëzuar institucionet e rendit për aksionin e së premtes në Karaçevë.

“Unë përgëzoj Policinë e Kosovës, Prokurorinë, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Qeverinë për këtë aksion të suksesshëm dhe të vendosur”

Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, kishte thënë të premten në Kuvendin e Kosovës se gjatë kohës kur Kurti ishte Kryeministër, nuk i ka dhënë leje për ta zhvilluar aksionin në Karaçevë.

“Në shkurt më pengoi Kurti, tash s’më ndalë askush. Atë punë do ta bëjë dhe ndoshta do ta dëgjoni shumë shpejtë, do ta bëj”, ka thënë Veliu.

Të premten në fshatin Karaçevë të Kamenicës, Policia e Kosovës ka arrestuar 33 person, prej tyre edhe policë.

Gjatë këtij aksioni u sekuestruan aparate të lojërave të fatit dhe prova materiale që dyshohet se ishin përdorur në aktivitete kriminale.

Po ashtu, në këtë aksion, njoftohet se u rrënuan edhe 12 objekte ku zhvillohej veprimtaria e bixhozit dhe lojërave të fatit.


(Kosova Sot Online)