Në Australi do të testohet një trajtim i veçantë për Covid-19, s’ka nevojë për shpim

  • E.K /
  • 21 September 2020 - 10:42
Në Australi do të testohet një trajtim i veçantë për Covid-19, s’ka nevojë për shpim

Testimi i një lloji të trajtimit pa gjilpërë kundër koronavirusit do të fillojë së shpejti në Australi pas përkrahjes financiare prej 3 milionë dollarësh nga qeveria e këtij vendi.

Ky trajtim është zbuluar nga ekspertët shëndetësorë të Universitetit të Sydneyt dhe rreth 150 persona tashmë janë regjistruar si vullnetarë për ta testuar efektin e tij.

Mjekja Ginni Mansberg tha se pajisja me të cilën jepet ky ilaç mund të jetë më efektive sesa një vaksinë me gjilpërë, shkruan Daily Mail, transmeton Gazeta Express.

“Ajo shkon drejt në lëkurë, që është organi më i madh i sistemit imunitar të njeriut dhe ne mendojmë se vaksinat e dhëna përmes lëkurës kanë potencial për të bërë më mirë”, tha ajo.

“E tërë ideja është që trupi i njeriut t’i njohë sasitë e vogla të ADN-së dhe t’i ndërtojë antigjenët e vet për ta stimuluar sistemin imunitar”, shtoi Mansberg.

Fillimi i testimit të kësaj vaksine erdhi pas njoftimit të Qeverisë Federale për një përkrahje milionëshe për kompanitë dhe institucionet që janë duke punuar në zhvillimin e vaksinave kundër sëmundjes së re.

Në krahasim me vendet e tjera, Australia nuk ka shënuar shifra shumë të mëdha të infektimeve dhe vdekjeve nga Covid-19. Deri më tani, në shtetin me rreth 26 milionë banorë janë regjistruar mbi 26,000 të infektuar dhe 851 viktima.

(Kosova Sot Online)