Qeveria e Japonisë i dhuron Kosovës donacion në vlerë prej 800 mijë eurosh për të luftuar COVID-19

  • E.K /
  • 21 September 2020 - 12:14
Qeveria e Japonisë i dhuron Kosovës donacion në vlerë prej 800 mijë eurosh për të luftuar COVID-19

Qeveria e Japonisë ka dhuruar donacion në vlerë prej 800 mijë eurosh për Kosovën. Kjo ndihmë do të shfrytëzohet për blerjen e pajisjeve mjekësore dhe forcimin e luftimit të pandemisë COVID-19.

Lajmin e bëri të ditur ministrja e Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, e cila përmes një postimi në Facebook bëri të ditur se e ka nënshkruar marrëveshjen për donacion me ambasadorin jo-rezident të Japonisë në Kosovë, Akira Mizutani.

“Kjo nuk është hera e parë që Japonia qëndron pranë nesh, si shtet mik dhe partner strategjik i yni në Azinë Lindore. Me mirënjohjen më të thellë, e falënderova Ambasadorin MIZUTANI, popullin Japonez dhe Qeverinë e Japonisë në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe popullit të saj, për ndihmën që Japonia ka dhënë në çdo etapë të shtetndërtimit të Kosovës. Ne jemi të përkushtuar të thellojmë edhe më tej marrëdhëniet tona dypalëshe, me fokus të veçantë aspektin ekonomik”, thuhet në njoftimin e Haradinajt-Stublla.

(Kosova Sot Online)