Ngordhja e mistershme e elefantëve, çka fshihet pas

  • E.K /
  • 22 September 2020 - 09:44
Ngordhja e mistershme e elefantëve, çka fshihet pas

Zyrtarët e botës së egër thanë së fundmi se toksinat e algave mikroskopike të ujit kanë shkaktuar vdekjet më parë të pashpjeguara të qindra elefantëve në Botsvana. Kjo e fundit strehon një të tretën e popullatës në rënie të elefantëve afrikanë.

Alarmi u ngrit kur kufoma elefantësh u panë në rajonin e deltës së lumit Okavango, mes majit e qershorit. Zyrtarët thanë se të paktën 330 elefantë kanë vdekur nga ngrënia e cianobaktereve, ndërsa gjuetia ilegale ishte përjashtuar si shkak i vdekjeve.

Cianobakteret janë toksina që krijohen natyrshëm në ujin e ndenjur dhe nganjëherë rriten në një masë të gjerë algash në ngjyrë jeshile ose blu. Shkencëtarët thonë se fenomene të tilla të njohura si lulëzime toksike mund të kenë lidhje me ndryshimet klimatike, sepse ato preferojnë ujin e ngrohtë.

Zbulimi vjen pas disa muaj testimesh në laboratorë të specializuar në Afrikën e Jugut, Kanada, Zimbabve dhe SHBA. Shumë nga elefantët e vdekur ishin gjetur në pellgje uji por autoritetet nuk i kishin fajësuar bakteret pasi algat shfaqen në anët e pellgjeve ndërsa elefantët pinë nga mesi i tyre.

“Në testimet e fundit ne zbuluam neurotoksina cianobakterale që ishin shkaku më i mundshmi vdekjes. Vdekjet ndaluan në qershor 2020, që korrespondon me periudhën e tharjes së pellgjeve të ujit”, tha kreu vendas i veterinarisë e botës së egër, Mmadi Reuben.

(Kosova Sot Online)