Moti në Kosovë gjatë pesë ditëve të ardhshme: Shi dhe rënie temperaturash

  • A.P /
  • 23 September 2020 - 19:04
Moti në Kosovë gjatë pesë ditëve të ardhshme: Shi dhe rënie temperaturash

Dy ditët në vijim mot i ndryshueshëm me reshje lokale shiu. Në fundjavë cikloni nga Italia sjell mot vjeshtor, me shi dhe rënie të temperaturave

Mbi rajonin tonë në ditën e sotme është shtrirë një turbullirë, e cila po i paraprinë depërtimit të një cikloni të fuqishëm që pritet të zhvillohet në gjirin e Gjenovës në veri të Italisë

 

Shërbimi i meteorologjisë njofton se në dy ditët e ardhshme do të mbajë mot i ndryshueshëm, me diell e vranësira, e priten edhe reshje lokale shiu me bubullima.

Sipas PW, në ditët e fundjavës cikloni nga Italia do të kaloj mbi rajonin tonë, që sjell mot tipik vjeshtor, me të reshura shiu, vende-vende më intensive.

Me kalimin e frontit të ftohtë të këtij cikloni ditën e shtunë, mbi vend do të shtrihen masa të ftohta ajrore të ardhura nga Atlantiku verior, ndërsa temperaturat do të pësojnë rënie të ndjeshme edhe nën vlera mesatare, paralajmëron PW.

Parashikimi për periudhën 24-28 shtator:

24.09 – Pjesërisht me diell. Herët në mëngjes dhe pasdite vende-vende priten reshje lokale shiu, me mundësi edhe për bubullima.

25.09 – Në mëngjes kryesisht me diell, në vise të ulëta mundësi për mjegull. Ditën vranësirat do të shtohen, vende-vende mundësi për riga lokale shiu. Më vonë në mbrëmje kryesisht vranët me reshje lokale shiu.

26.09 – Më freskët, kryesisht vranët e kohë pas kohe me shi dhe erë. Vende-vende reshjet mund të jenë më intensive, të shoqëruara edhe me bubullimë.

27.09 – Pjesërisht vranët. Ditën vranësirat do të shtohen, e gjatë mbrëmjes me reshje lokale shiu.

28.09 – Vranësira dhe intervale me diell. Pasdite mundësi për reshje lokale shiu.

Temperaturat minimale do të luhaten nga 12C deri në 14C, e ditën e diel pritet të zbresin edhe deri në 7C. Maksimalet do të lëvizin ndërmjet 24 deri 27C, në fundjavë zbresin në 16C deri 19C.

Do të fryjë erë e lehtë dhe mesatare kryesisht nga jugperëndimi 3-10m/s, e në fundjavë mesatarisht e fuqishme me hove edhe deri në 15m/s.

Shtypja atmosferike në rënie, deri në fundjavë thellë nën vlera normale.

(Kosova Sot Online)