LDK dhe LVV kapen për Trustin, Vjosa Osmani del me një sqarim

  • E.K /
  • 25 September 2020 - 11:30
LDK dhe LVV kapen për Trustin, Vjosa Osmani del me një sqarim

Deputetët e LDK’së dhe LVV’së janë përplasur në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, për ligjin e rimëkëmbjes ekonomike.

Shefi i grupit parlamentar të LDK’së, Arben Gashi ka thënë se nuk është e vërtetë deklarimi i deputetit të LVV’së, Hekuran Muratit për një veprim të ish ‘qeverisë Mustafa për Trustin.

“Nuk është mirë me spekulu edhe me kriju përshtypje të gabume, secili qytetar i merr paret e veta, shteti ja mundëson me ligj me i tërheq paret, nuk ka mundësi që shteti me i marrë paret e secilit qytetar e me i qit në buxhet të vetin, tash ato idetë fantastiko shkencore që u folën, nuk e di”, ka thënë ai.

Ai ka kritikuar deputetin Murati duke thënë se i njëjti nuk ka pranuar që të mbajë mbledhjen e komisionit për buxhet.

“Sa i përket mundësisë që u diskutua edhe për kontributin e deputetëve mendoj që duhet të jemi të kujdesshëm cka ka ndodhë me marrëveshjet komisionet, qysh s’kanë pranu me i mbajtë mbledhjet. Unë mendoj që janë cështje procedurale. E kemi një projektligj para vetes për të cilin ne po i ftojmë deputetët që ta kalojnë në lexim të parë. Prej titullit deri te pika e fundit jemi të gatshëm me i përfshi”, ka thënë Gashi.

Pas këtij deklarimi, ka reaguar deputeti i LVV’së, duke thënë se ajo që tha për ish-qeverinë Mustafa është e saktë.

“Për z.Gashi meqë nuk ka qenë pjesë e shumë procesvee,. Mund të mos i ketë të gjitha informatat ajo që ka ndodhë për Qeverinë është e saktë dhe e vërtetë. Edhe për rishikimin e buxhetit mund të konsultoheni me kolegët e ju, ta vërtetoni që po të mos kishim dashtë na do të mungonte edhe kuorumi. Rishikimi i buxhetit ka qenë dhe është punuar në afat rekord, ju kisha lut si kolegë që të mos bëni spekulime të tilla”, tha Murati.

Megjithatë, deputeti i LDK’së, Arben Gashi tha se komisioni është mbledhur vetëm pas kërkesës së deputetëve.

“Nuk dashta me përdor atë gjuhë Hekuran, me kërkesë të deputetëve jeni detyru me mbajtë mbledhjen, se ke bo deputetët janë mbledhë vetë, e rëndësishme është që sot e ke një projektligj përpara. Për çka është e vërtetë, a ke refuzu me thirër mbledhjen e komisionit”, shtoi ai.

Pas përplasjes LDK – LVV ka reaguar edhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani duke dalë me një sqarim.

“Si kryetare e Kuvendit më duhet ta përmend një çështje, që është e rëndësishme tash e tutje cdo herë kur kam bisedu me komisioni për Buxhet kanë kërkuar që të shqyrtohen në procedura të përshpejtuara shumë prej çështjeve të natyrës ekonomike me kërkesën time, shumë herë në konsultim edhe me ministren. Janë kryer nga komisioni për buxhet në procedura të përshpejtuara”, ka thënë kryeparlamentarja.

(Kosova Sot Online)