Një muaj paraburgim për gruan që deshi ta mbys djalin e saj 9-vjeçar me kabllo në fyt

  • E.K /
  • 25 September 2020 - 14:31
Një muaj paraburgim për gruan që deshi ta mbys djalin e saj 9-vjeçar me kabllo në fyt

Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurës SH.H, për shkak të dyshimit se kishte dashur ta mbys djalin e saj, 9-vjeçar.

Në njoftimin e gjykatës thuhet se më datën 22.09.2020, rreth orës 18:30, SH.H., në shtëpinë e dëshmitares M.T, tenton ta privojë nga jeta djalin e saj nëntë vjeçar.

Ajo po qëndronte për disa ditë tek shoqja e saj, aty kishin shkuar disa fqinj dhe ishin ankuar në djalin e saj, se ky po iu drejtohej me fjalë banale dhe po i ngacmonte fëmijët e tyre, veprim ky që e kishte shtyrë të pandehurën që me një kabull (gajtan) ta godiste djalin në pjesë të ndryshme të trupit, e më pas edhe t’ia vendos rreth fytit duke e ngulfatur, por që në atë moment kishte ndërhyrë dëshmitarja, e cila kishte dëgjuar zërin e viktimës duke e thirrur dhe e kishte larguar këtë të fundit nga duart e nënës së tij, e i cili në ato momente po shkumonte nga goja.

Me këto veprime e pandehura dyshohet se ka kryer veprën penale ‘vrasje e rëndë e mbetur në tentativë’.


Të pandehurës i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji pasi që gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi i bazuar se e njëjta e ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet dhe se kjo çështje është ende në fazën hetimore, për çka me gjetjen e të pandehurës në liri ekziston rreziku që e njëjta të ndikojë në dëshmitarë, të përsërisë veprën e njëjtë penale apo të përfundojë veprën penale të tentuar.

Gjykata vlerësoi edhe masat tjera alternative për sigurinë e pranisë së të pandehurës në procedurë mirëpo, vlerësoi se në këtë fazë të procedurës asnjë masë tjetër alternative nuk do të ishte e mjaftueshme për sigurinë e pranisë së të pandehurës në procedurë.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit. 

(Kosova Sot Online)