Dosja FinCen hedh dritë mbi rrjedhjen e parave të fshehura në Rusinë e Putinit

  • A.P /
  • 27 September 2020 - 12:50
Dosja FinCen hedh dritë mbi rrjedhjen e parave të fshehura në Rusinë e Putinit

Në verën e vitit 2015, dega e britanike e Barclays në Nju Jork lajmëroi si të dyshimtë një transferim prej 1 milion dollarësh te ish-nënkryetari i Bashkisë së Moskës, Iosif Ordzhonikidze për “shërbime këshillimi”.

Transferimi u bë nga një kompani e quajtur BEM Global Corp., e cila kontrollohet nga biznesmeni që merret me pasuri të patundshme, Roman Fuks. Një nga projektet kryesore të realizuar nga Fuks dhe vëllai i tij, Pavel Fuks, ishte një kompleks i ndërtesave të larta i njohur si Moscow-City. Ordzhonikidze kishte mbikëqyrur këtë projekt për zyrën e kryebashkiakut të Moskës para se të largohej nga posti në 2007.

Në vitin 2019, një urdhërarrest ndërkombëtar u lëshua për vëllezërit Fuks, të cilët kërkohen në Rusi dhe Kazakistan me akuzën e përvetësimit të miliona dollarëve nga projekti Moscow-City.

Raporti për veprimtaritë e dyshimta nga Barclays (SAR) u dërgua në FinCEN, një agjenci e Departamentit të Thesarit në SHBA që lufton pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit. Ishte një nga më shumë se 2,000 raporte të tilla që datojnë nga 2011-2017 që u publikuan në vitin 2017.

Të menaxhuar nga BuzzFeed dhe Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigativë me bazë në Uashington (ICIJ), më shumë se 400 gazetarë nga mbi 80 vende kanë kontrolluar këto dokumente dhe filluan botimin e tyre më 21 shtator. Megjithëse 2,000 raportet e publikuara përbëjnë vetëm 0,02 për qind nga të gjitha ankesat e SAR të paraqitura gjatë kësaj periudhe, ata kanë dokumentuar transferimin e dyshimtë të më shumë se 2 trilionë dollarëve amerikanë.

Këto dokumente të FinCEN nuk janë sasi më e vogël se sa rrjedhja e Panama Papers më 2016, e cila zbuloi shumë në lidhje me përdorimin e kompanive në vende të ndryshme nga biznese të mëdha dhe politikanë të njohur nga e gjithë bota.

“Në këtë rast, sasia e informacionit është më e vogël, por është një sasi e konsiderueshme që meriton punë të mëtejshme”, tha gazetari rus Roman Shleinov, i cili mori pjesë në projekt dhe ishte një nga autorët e raportit fillestar mbi lidhjet ruse.

Dokumentet hedhin dritë të mëtejshme mbi lidhjet e fshehura të Qeverisë së Rusisë dhe të organizatave tjera joqeveritare me ndikim të madh gjatë kohës së qeverisjes së Vladimir Putinit, ku sundimin e të cilit, disa analistë e përshkruajnë si një kleptokraci autoritare.

Elita qeverisëse nën Putinin “ka arritur të integrohet shumë mirë në botën perëndimore,” i tha Radios Evropa e Lirë gazetarja britanike Catherine Belton. Ajo është autore e librit: “Njerëzit e Putinit: Si KGB-ja e ktheu Rusinë dhe më pas u kthye kah Perëndimi”.

“Vlerësohet se rreth 800 miliardë dollarë nga Rusia janë në llogari bankare në vende tjera, dhe kjo është më shumë se shuma e parave në llogaritë ruse. Dhe, përkundër të gjitha deklaratave dhe përpjekjeve të Putinit, kjo shifër vetëm po rritet”.

Një raport i SAR-it nuk do të thotë akuzë për veprimtari të paligjshme, theksojnë Shleinov dhe gazetarë të tjerë që punojnë në kontrollimin e dokumenteve të FinCEN. Në rastin e transferimit të parave te Ordzhonikidze, Shleinov theksoi se SAR nuk ka vërtetuar se kishte një ryshfet.

“Ne po flasim vetëm për atë që mund të vërtetojmë”, tha ai

“Ne e shohim që janë bërë pagesa të çuditshme. Banka korresponduese amerikane i raportoi ato. Kjo do të thotë që këto transaksione duhet të shpjegohen disi, pasi ato ngrenë pyetje të mëdha. Pse Roman Fuks, një njeri që tani është nën akuzë penale, një ndërtues, transferoi papritmas një milion dollarë te ish-nënkryetari i bashkisë për punën e bërë si ‘konsultim’?”


(Kosova Sot Online)