Sipas exit poll-it, zviceranët kanë votuar bindshëm pro lëvizjes së lirë me vendet e BE-së

  • A.P /
  • 27 September 2020 - 14:20
Sipas exit poll-it, zviceranët kanë votuar bindshëm pro lëvizjes së lirë me vendet e BE-së

Sipas një exit poll-i të transmetuesit SRF, pjesa më e madhe e zviceranëve kanë votuar kundër largimit të shtetit helvetik nga marrëveshja për lëvizje të lirë me vendet e Bashkimit Evropian.

Partia Popullore e Zvicrës kërkoi referendum për marrëveshjet me BE-në, që u cilësua test i rëndësishëm i qëndrimit ndaj të huajve, të cilët e përbëjnë çerekun e popullsisë në këtë shtet, shkruan The Guardian.

Sipas rezultateve të pjesshme të parashikimit të këtij transmetuesi, 63 për qind e votuesve e kanë kundërshtuar largimin e Zvicrës nga marrëveshja për lëvizje të lirë, ndërsa vetëm 37 për qind e kanë përkrahur atë.

Zvicra shumë kohë më parë ka vendosur të mos i bashkohet BE-së, por ajo dëshiron qasje në zonën evropiane të tregtisë së lirë dhe dëshiron të bashkëpunojë me Brukselin në fusha si transporti, mjedisi, shkenca dhe arsimi.

BE-ja vazhdimisht i ka treguar Zvicrës se largimi i mundshëm nga marrëveshja për lëvizje të lirë do të nënkuptonte edhe tërheqje nga marrëveshjet tjera që sjellin përfitime për shtetin helvetik.

(Kosova Sot Online)