Franca vendos masa të reja kundër pandemisë në Paris dhe 11 qytete tjera

  • G.G /
  • 28 September 2020 - 12:04
Franca vendos masa të reja kundër pandemisë në Paris dhe 11 qytete tjera

Autoritetet franceze nga e hëna i kanë futur në fuqi rregullat e reja kundër përhapjes së koronavirusit në Paris dhe në 11 qytete tjera, në të cilat vlerësohet se ka rrezik të lartë nga pademia.

Rregullat e reja do të mbesin në fuqi për 15 ditë, por do të rishikohen pas një jave dhe afati i tyre mund të zgjatet tutje. Policë shtesë do të patrullojnë nëpër Paris dhe do t’i ndëshkojnë ata që nuk i respektojnë masat, paralajmëroi komandanti i policisë së kryeqytetit francez.

Të gjitha baret duhet të mbyllen në orën 22 dhe të mos hapen para orës 6 të mëngjesit, por restorantet mund të punojnë edhe pas orës 22. Autoritetet e kanë arsyetuar këtë vendim me faktin që në restorante, njerëzit rrinë ulur dhe kanë më shumë distancë mes vete, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Nga e hëna, ndalohen ngjarjet festive apo rekreative, përfshirë dasmat, festivalet, tubimet e organizuara dhe ndejat e studentëve. Kinematë, muzetë dhe teatrot, të cilët i kanë rregullat e veta të rrepta, mund ta vazhdojnë punën.

Nga e shtuna, tubimet me më shumë se 1,000 persona janë ndaluar, kurse jo më shumë se 10 njerëz lejohen të mblidhen në një vend në zona publike dhe në organizime private.

Protestat nuk janë ndaluar, por për to duhet të merret leja nga autoritetet paraprakisht. Klubet sportive dhe qendrat e fitnesit do të mbyllen, përpos atyre që funksionojnë në hapësira të jashtme. Pishinat do të jenë të hapura, por duhet të zbatojnë masa të rrepta për mbajtjen e higjienës.

(Kosova Sot Online)