Veseli përgjigjet shkurt për arrestimet e urdhëruara nga Gjykata Speciale

  • E.K /
  • 29 shtator 2020 - 12:40
Veseli përgjigjet shkurt për arrestimet e urdhëruara nga Gjykata Speciale

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli ka refuzuar t’i komentojë qartë arrestimet e urdhëruara nga Gjykata Speciale.

Në një konferencë për media, Veseli u pyet se si i komenton këto zhvillime, ndërsa përgjigja e tij ishte tepër eshkurtër.

“Faleminderit shumë. Kam folur çdoherë… Do të thotë, nuk kam koment”, tha Veseli duke u larguar nga foltorja.

Veseli mbetet në pritje të konfirmimit ose hudhjes poshtë të aktakuzës së pakonfirmuar kundër tij, presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) më 24 qershor kishte njoftuar se ua ka paraqitur Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim nga Gjykata, ku Kadri Veseli, Hashim Thaçi dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krime lufte, ndër të cilat vrasje, zhdukje e detyruar të personave, përndjekje dhe tortura.

Aktakuza pretendon se Veseli, Thaçi dhe të dyshuarit e tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzën e ngritur nga Prokurori i Specializuar përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës, si dhe kundërshtarë politikë.

Tashmë, një gjykatës i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara është duke e shqyrtuar aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat. 

(Kosova Sot Online)