Jashari: Nuk do të lejojmë më spektakle policore në OVL UÇK

  • A.P /
  • 29 September 2020 - 23:08
Jashari: Nuk do të lejojmë më spektakle policore në OVL UÇK

Ditë më parë, në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës hetuesit e Speciales kanë kryer një bastisje dhe dy arrestime. Ata arrestuan kryetarin e kësaj organizate Hysni Gucatin dhe nënkryetarin Nasim Haradinaj.

Aksioni i hetuesve të Speciales i zuri në befasi përfaqësuesit e kësaj organizate, të cilët u detyruan të lënë punën dhe të dalin jashtë objekti.

Xhavit Jashari, kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve, ka folur për ditën e premte kur edhe ndodhi aksioni i hetuesve të Speciales.

Jashari ka thënë se Gjykata Speciale është politike.

“Ne e dimë se Specialja është një gjykatë politike me tendenca të caktuara dhe të orientuara nga Beogradi, sepse ne ju kemi thënë edhe institucioneve tona që edhe është faji i tyre më i madh, viti 2015, kur deputetët e kanë votuar një Gjykatë të tillë. Ne e kemi kundërshtuar këtë. Qëllimet e vetme të kësaj Gjykatë janë që të barazojnë luftën e pastër të UÇK-së, me krimet që kriminelët kanë bërë në Kosovë”, pohoi ai për Telegrafin.

Jashari tha se Gjykata Speciale duhet të merret me rrjedhjen e dokumenteve që kanë arritur në zyrat e OVL-UÇK-së.

“Mendoj që është e padrejtë, Gjykata duhet të merret se nga po rrjedhin informacionet, ato që kanë ardhur në organizatë, për të qenë korrekt me pastërtinë me luftën e UÇK-së. Për të qenë korrekt me njerëzit që përfaqësojmë ne vetëm i kemi njoftuar përmes mediave që kanë arritur dosje, dhe ne nuk kemi publikuar emra të dëshmitarëve, dhe mendoj se këtu nuk ka asnjë shkelje. I vetmi qëllim mendoj që me spektaklin që kanë dhënë në OVL-UÇK, ka qenë që ta na frikësojnë, por ne asnjëherë nuk jemi frikësuar dhe nuk ndihem të frikësuar”, u shpreh ai.

Duke folur për seancën e parë gjyqësore ndaj ish-shefit të Inteligjencës në Forcën e Sigurisë së Kosovës, Salih Mustafa, Jashari thotë se çdo pjesëtar i UÇK-së, duhet të jetë krenar.

“Unë ju them të qëndrojnë krenar secili që merret atje, secili qe e kalon një proces sepse secili nga ta do të kthehet i fuqishëm. Ne dinjitetin e luftës së UÇK-së, në pastërtinë e saj, nuk mund të prek askush, asnjë gjykatë as vendore as ndërkombëtare, le të qëndrojnë burrërisht”.

Në fund, Jashari bën thirrje që mos bëhen veprime të tilla më në zyrat e OVL-UÇK-së, pasi që më nuk do të lejojnë.

“Unë ju bëj thirrje edhe institucioneve vendore, por edhe atyre që kanë ardhur me emër të drejtësisë, dhe po bëjnë padrejtësi që mos të tentojnë më. Sepse atë të ditë e kemi qetësuar situatën, por herën tjetër nuk do të lejojmë të bëjnë spektakle të tilla dhe të shkelin në dinjitetin e luftëtarit dhe invalidëve dhe familjarët e dëshmorëve”.

“Edhe institucionet e vendit nuk duhet të rrinë duar kryq, sepse është e turpshme që gjatë gjithë ditës bastisen organizatat e dalura nga lufta. Ndërsa, 30 metra nga këtu të votuarit e popullit të sillen sikur të shurdhër dhe të mos ndërpresin seancën dhe të mos interesohen se çfarë po ndodhë, ku pa luftën e pa sakrificën e luftëtareve as ata nuk do të ishin ulur aty”, deklaroi ai.

Kujtojmë se pas zhvillimeve të fundit në OVL-UÇK, Specialja përmes një komunikate për media ka njoftuar se për Gucatin dhe Haradinajn është lëshuar fletarrestim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, të parapara në Kodin Penal të Kosovës, sikurse përfshihen në nenin 15(2) të Ligjit nr. 05/L-53 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Haradinaj do të paraqitet sot në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, kurse Gucati me datën 1 tetor.

(Kosova Sot Online)