Azerbajxhani thotë se për tri ditë i ka neutralizuar 2.300 ushtarë armenë

  • E.K /
  • 30 shtator 2020 - 11:12
Azerbajxhani thotë se për tri ditë i ka neutralizuar 2.300 ushtarë armenë

Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit përmes një deklarate ka thënë se së paku 2.300 ushtarë armenë janë neutralizuar gjatë një kundërsulmi të forcave azere për mbrojtjen e territorit.

Sipas kësaj deklarate, 2.300 ushtarë armenë janë vrarë ose plagosur që nga e diela e 27 shtatorit, kur filloi përleshja me artileri të rëndë mes vendeve rivale të Kaukazit Jugor.

Përpos pasojave në staf ushtarak, kjo ministri tha se forcave rivale ushtria azere ua ka shkatërruar 130 tanke dhe automjete tjera të blinduara, mbi 200 sisteme raketore dhe të artilerisë, rreth 25 sisteme për mbrojtje kundërajrore, gjashtë zona të komandës dhe vëzhgimit, pesë depo municioni, rreth 50 armë anti-tank dhe 50 vetura.

Për më tepër, Ministria e Mbrojtjes tha se forcat armene e kanë vënë në shënjestër rajonin Terter të Azerbajxhanit në orët e mëngjesit, shkruan Anadolu.

Marrëdhëniet mes dy ish-republikave sovjetike kanë qenë të tensionuara nga viti 1991, kur Armenia e pushtoi rajonin e Nagorno-Karabakut, i cili nga komuniteti ndërkombëtar edhe sot e tutje njihet si pjesë e territorit të Azerbajxhanit.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka mbajtur mbledhje urgjente për këtë konflikt dhe u ka bërë thirrje palëve që menjëherë të bëjnë armëpushim. Thirrje për ndërprerje të luftimeve kanë bërë edhe fuqitë e mëdha, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Rusinë, Kinën, Gjermaninë dhe Francën.

(Kosova Sot Online)