Banka Botërore synon ndarjen e 12 miliardë dollarëve për vaksina të Covidit për vendet e varfra

  • E.K /
  • 30 September 2020 - 11:48
Banka Botërore synon ndarjen e 12 miliardë dollarëve për vaksina të Covidit për vendet e varfra

Banka Botërore e ka paraqitur planin për sigurimin e 12 miliardë dollarëve me të cilët do të bliheshin vaksina kundër koronavirusit për vendet e varfra e të cilat do të mjaftonin për trajtimin e dy miliardë njerëzve.

Në përpjekje për t’u siguruar që vendet e varfra të mos lihen anash nga shtetet e pasura, kjo organizatë po kërkon nga anëtaret kryesore që të përkrahin një skemë për shpërndarjen e parave gjatë 12 deri 18 muajve të ardhshëm.

Presidenti i Bankës Botërore, David Malpass, tha se kjo nismë është e nevojshme për shkak se pandemia po ka efekt shumë më të madh në shtetet me të ardhura të ulëta dhe të mesme sesa në botën e zhvilluar, shkruan The Guardian.

“Sigurimi i këtyre financave do të jetë ndryshim i lojës, sepse posa të sigurohet një vaksinë e sigurt dhe efektive, ajo do t’u mundësojë njerëzve që ta vazhdojnë jetën e tyre me besim”, tha ai.

“Ka rezervim përmbajtjesor të dozave nga shtetet me të ardhura më të larta dhe ne dëshirojmë të sigurohemi që edhe vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme të kenë qasje (në vaksina)”, shtoi presidenti i Bankës Botërore.

Banka Botërore ka thënë se ekonomia globale nuk do të rimëkëmbet plotësisht deri në momentin që njerëzit të ndihen se mund të jetojnë, socializohen, punojnë dhe udhëtojnë me besim dhe për këtë nevojitet një vaksinë efektive dhe e sigurt kundër Covid-19.

(Kosova Sot Online)