Kush është avokati që po tenton ta mundësojë lirimin e Nasim Haradinajt nga paraburgimi?

  • E.K /
  • 30 shtator 2020 - 15:50
Kush është avokati që po tenton ta mundësojë lirimin e Nasim Haradinajt nga paraburgimi?

Bas Martens u paraqit me disa kërkesa e jo pak vërejtje në seancën e djeshme gjyqësore në Tribunalin Special në Hagë. Avokati holandez, që dje ishte mbrojtës kujdestar i Nasim Haradinajt, po tenton që nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së t’ia mundësojë lirimin nga paraburgimi, përmes disa mocioneve të parashtruara në Dhomat e Specializuara.

Martens i ka kërkuar gjykatësit Nicolas Guillou që t’i rishikojë akuzat kundër klientit të tij dhe ta lirojë atë nga paraburgimi. Ai tha se Nasim Haradinaj nuk është i akuzuar për krime lufte dhe se Specialja nuk ka juridiksion për t’u marrë me këto akuza të cilat iu lexuan atij gjatë seancës gjyqësore.

“Dua nga ju z. gjykatës që të vendosni që akuzat nuk janë brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, t’i hidhni poshtë akuzat kundër tij, ta lironi menjëherë nga paraburgimi z.Haradinaj me kushte të cilat do të përcaktohen nga ju”, tha avokati Martens në seancën e djeshme gjyqësore.

Kush është Bas Martens?

Bas Martens është avokat penal në çështjet e përgjithshme penale dhe çështjet ushtarake. Ai është kreu i grupeve të praktikës së Ligjit Penal dhe Ligjit Ushtarak në kompaninë juridike holandeze, “Delissen Martens”. Përveç çështjeve të përgjithshme penale, ai merret edhe me çështje tatimore.

Nga tetori i vitit 2012 deri në nëntor të vitit 2015, Bas Martens ishte Dekan i Shoqatës së Avokatëve të Hagës, ndërsa nga 2013 deri në nëntor të vitit 2015 ka qenë kryetar i Këshillit të Dekanëve.

Si drejtor dhe mbikëqyrës, ai ka përvojë të gjerë në çështjet e pajtueshmërisë. Ai jep mësim për avokatët e rinj në fushën e rregulloreve kundër pastrimit të parave dhe rregullave të sjelljes.

Martens siguron këshilla dhe udhëzime për avokatët mbi organizimin e zyrës së tyre dhe me problemet që lidhen me të drejtën disiplinore, të drejtën administrative dhe të drejtën penale.

Kompania “Delissen Martens” që ndodhet në Hagë – e ku avokati Bas Martens është partner menaxhues – ofron shërbime juridike për sipërmarrës dhe individë. Gjithashtu, kjo kompani këshillon, negocion dhe ndërmjetëson, duke zgjidhur konflikte ligjore.

(Kosova Sot Online)