Kontrabanda me naftë në vlerë mbi 3 milionë euro në veri, sërish dështon gjykimi ndaj të akuzuarve

  • G.G /
  • 01 October 2020 - 12:35
Kontrabanda me naftë në vlerë mbi 3 milionë euro në veri, sërish dështon gjykimi ndaj të akuzuarve

Për të gjashtën herë me radhë në Departamentin Special ka dështuar të mbahet seanca fillestare ndaj të akuzuarve për krim të organizuar, kontrabandë me mallra, shmangie nga tatimi e vepra tjera, Millan Bozhoviq dhe Zhelkjo Millashinoviq.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) i akuzon Millan e Dragomir Bozhoviqin dhe Zheljko Millashinoviqin, se kanë blerë karburante në Serbi dhe ato i kanë dërguar ilegalisht në pompat e benzinës në veri të Kosovës, në vlerën e mbi tre milionë eurove.

Në këtë çështje penale ka qenë i akuzuar edhe Dragomir Bozhoviq, mirëpo ndaj tij kishte pushuar procedura penale për shkak se ai rezultonte i vdekur.

Në hapje të këtij gjykimi, gjykatësja e rastit Valbona Selimaj njoftoi se për shkak të rrethanave objektive, si mungesa e të akuzuarit Zhelkjo Millashinoviq e vdekjes së të akuzuarit tjetër, Dragomir Bozhoviq ishte pamundësuar mbajtja e shqyrtimit fillestar në këtë çështje penale.

“Deri më sot nuk kemi pasur mundësi të hapet shqyrtimi fillestar për faktin se kemi tre të akuzuar, Dragomir Bozhoviqin për të cilin gjykata ka pranuar certifikatën e vdekjes, ndërsa sa i përket Zheljko Millashinovq gjykata ka provuar që prezencën e tij ta sigurojë përmes Ministrisë së Drejtësisë, Departamentit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar” tha gjykatësja Selimaj.

Sa i përket mungesës së të akuzuarit Zhelkjo, gjykatësja sqaroi se ai kishte pranuar ftesën e gjykatës, por se ky njoftim i kishte arritur gjithmonë me vonesë, pas datës kur ka qenë caktuar seanca.

Mundësinë e veçimit të procedurës penale ndaj të akuzuarit Zhelkjo e ka kundërshtuar prokurori Agron Bajrami, me arsyetimin se nuk janë plotësuar kushtet ligjore dhe nga fakti se të akuzuarit ngarkohen për vepra penale të njëjta dhe provat janë të përbashkëta.

“Meqë mungesa e të akuzuarit Zheljko është ashtu siç u përshkrua nga gjykata, konsiderojmë se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për veçimin e procedurës, i cili veprim procedural ka kritere ligjore për tu zbatuar, e po ashtu, konsideroj se gjykata duhet që të veproj drejt dorëzimit të ftesës për të akuzuarin e lartcekur, ngase veprat penale për të cilat ai akuzohet janë të njëjta me të akuzuarin që është sot prezent, provat që vërtetojnë pretendimet faktike si në aktakuzë janë të njëjta, dhe e konsiderojmë si të paarsyeshme zhvillimin e dy procedurave për çështje të njëjtë” tha prokurori Bajrami.

Ky propozim i prokurorit Bajrami u përkrah edhe nga i akuzuari që ishte prezent Millan Bozhoviq dhe avokati i tij, Faruk Korenica.

“Qëndroj pranë deklarimit të avokatit tim, dëshiroj që të janë prezent të gjithë, kjo është grup, nuk mundem vetëm unë të përgjigjem për këtë akuzë që më ngarkohet” tha i akuzuari Bozhoviq.

Po ashtu, avokati Korenica deklaroi se ky proces gjyqësor mundet të përfundoi edhe sot, me arsyetimin se veprat penale për të cilat akuzohet i mbrojturi i tij janë përfshira në ligjin për amnisti.

Në fund, gjykatësja Selimaj aprovoi propozimin për shtyrjen e këtij gjykimi deri më 23 shkurt ora 10:00, me ç’rast i akuzuari Zheljko do të ftohet sërish përmes Departamentit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar të Ministrisë së Drejtësisë.

Në këtë çështje penale, për shkaqe të ndryshme, nuk kishin arritur të mbaheshin seancat e 18 shtatorit e 20 dhjetorit 2019, e as seancat e 27 janarit, 26 marsit dhe 18 qershorit 2020.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 1 korrik 2016, ka ngritur aktakuzë ndaj Millan Bozhoviq, Dragomir Bozhoviq dhe Zhelkjo Millashinoviq, me të cilën po i akuzon se në periudhën kohore nga 22 maji 2009 deri më 14 korrik 2011, me dashje dhe dijeni dhe me qëllim që si grup të kryejnë vepra kriminale që janë të dënueshme me burgim së paku katër vjet aktivisht kanë marrë pjesë në veprimtari kriminale.

Sipas PSRK-së, të akuzuarit Millan dhe Dragomir Bozhoviq dhe Zhelkjo Millashinoviq, e kanë shfrytëzuar mungesën e doganierëve kosovarë në pikat 1 dhe 31 përkatësisht në Leposaviq dhe Zubin Potok, e duke qenë se doganierët e EULEX-it vetëm kanë regjistruar mallin, por zhdoganimi është bërë në pjesën jugore të Mitrovicës, kjo gjë, sipas akuzës ju ka krijuar kushte të përshtatshme të akuzuarve për kontrabandë me mallra, shmangie doganore dhe tatimore.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Millan dhe Dragomir Bozhoviq, si pronar të regjistruar të kompanisë “P.P MIN PROM” dhe Zhelkjo Millashinoviq si vozitës i mauneve të kësaj kompanie, kanë blerë karburante në Serbi dhe të njëjtat i kanë futur ilegalisht në Kosovë, përmes kompanisë së lartcekur, e cila nuk posedon licencë për import të karburanteve.

Karburantin e blerë, sipas PSRK-së, të akuzuarit nuk e kanë zhdoganuar, por e kanë dërguar direkt në pompat e benzinës në veriun e Kosovës dhe duke qenë se nuk kanë paguar tatim, kjo sasi e karburantit ishte shitur me çmim më të lirë, se sa ai i tregut, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Vlera e përgjithshme që të akuzuarit po akuzohen se e kanë futur nga Serbia në Kosovë kap shifrën e 3,035,911.36 euro, ndërsa dëmi që i është shkaktuar Doganave dhe Administratës Tatimore të Kosovës, duke iu shmangur akcizës arrin shumën 1,243,348.59 euro, pastaj llojit të tatimit në emër të TVSH-së, në shumë prej 684,681.60 euro, tatimit të paragjykuar 3% në vlerën e shitur në shumën prej 92,705.43 euro dhe në emër të kontributeve pensionale në shumën prej 30,901.81 euro.

Me këto veprime të tyre, tre të akuzuarit, sipas prokurorisë, kanë kryer veprën penale, të krimit të organizuar lidhur me veprat penale, kontrabandimi i mallrave, shmangia nga tatimi dhe shmangia nga akciza dhe detyrimet e importit. 

(Kosova Sot Online)