Ramadani thotë se vaksina do të dalë në fund të këtij viti, shqetësim shpërndarja e saj

  • E.K /
  • 02 October 2020 - 10:15
Ramadani thotë se vaksina do të dalë në fund të këtij viti, shqetësim shpërndarja e saj

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, ka deklaruar se vaksina kundër COVID-19 do të zbulohet në fund të këtij viti dhe se Kosova ka aplikuar për furnizimin e saj.

Ramadani ka thënë se koha optimale për zbulimin e vaksinës kundër COVID-19, do të jetë në fund të këtij viti ose në fillim të vitit 2021.

Por, ai sheh një problem te shpërndarja dhe distribuimi në të gjithë rruzullin tokësor, duke pasur parasysh numrin e madh të kërkesave nga shumë shtete.

“Koha më optimale dhe më e shpejtë do të jetë fundi i këtij viti dhe fillimi i vitit të ardhshëm. Por që është një problematikë tjetër në këtë kontekst. Nuk është vetëm zbulimi i vaksinës, nuk është vetëm futja e vaksinës në praktikë, por është edhe shpërndarja, distribuimi në gjithë rruzullin tokësor duke pasur parasysh kërkesat shumë të mëdha të shteteve për vaksinë kundër COVID-19”, ka thënë Ramadani.

Ramadani ka thënë se Kosova i ka gjasat e mëdha të vijë deri te furnizimi me vaksina falë shteteve evropiane.

Ai tha se Kosova qysh tani ka paraqitur kërkesën e saj për furnizimin me vaksinën kundër COVID-19, sipas tij, popullata do të jetë e vaksinuar në bazë të prioriteteve, në radhë të parë personat me indikacione epidemiologjike.

(Kosova Sot Online)