Ngjarje e trishtë në Drenas: E mitura u dhunua nga një burrë, e dashura e tij ishte në dijeni

  • E.K /
  • 02 October 2020 - 15:44
Ngjarje e trishtë në Drenas: E mitura u dhunua nga një burrë, e dashura e tij ishte në dijeni

Një e mitur në Drenas dyshohet se është dhunuar nga një burrë dhe në dijeni ishte edhe një grua e cila nuk kishte ndërmarrë asgjë, e për këtë rast janë arrestuar të dy. Media mëson se dy të dyshuarit ishin në lidhje dashurie dhe se viktima ishte familjare e gruas.

Raportimi i rasteve të dhunës seksuale është shtuar së fundmi në Kosovë.

Dy javë më parë, e mitura nga Drenasi është dhunuar seksualisht nga një burrë. Në dijeni rreth këtij dhunimi ishte gruaja me të cilën i dyshuari ishte në lidhje. 

Media mëson se përveç që ishte në dijeni, gruaja e kishte edhe familjare viktimën.

Burri dhe gruaja janë arrestuar dhe me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje. Ndërsa e mitura është dërguar në strehimore dhe pritet të bëhet ekzaminimi mjeko-ligjor.

Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë kanë thënë se është caktuar masa e paraburgimit ndaj dy të dyshuarve.

“Lidhur me këtë rast, krejt çka mund të themi është se prokurori i Departamentit për të Mitur në Prishtinë ka ushtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për dy personat e dyshuar”, tha zëdhënësja për informim e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

Po ashtu edhe një 14 vjeçare nga Gjilani dyshohet se u dhunua seksualisht nga dy persona, njëri ishte 21-vjeçar e tjetri 30. E mitura kishte mbetur shtatzënë dhe njëri nga dhunuesit e saj e detyroi atë që ta abortonte fëmijën. E brenda javës së kaluar edhe një vajzë nga Peja i kishte shpëtuar një tentim dhunimi nga vjehrri i saj. Por ka edhe dhjetëra raste të ngjashme kur vajzat kosovare kanë raportuar dhunimet seksuale në polici.

Policia e Kosovës në një përgjigje për express thanë se nga muaji janar e deri në muajin gusht për veprën penale të ‘Dhunimit’ janë paraqitur në organet e hetuesisë 39 raste të dhunimit seksual.

(Kosova Sot Online)