Lexoni edhe:
Ish-Kryeministri Kurti ankohet në FMN se Qeveria po bën parregullësi me Trustin Pensional
Numri i përgjithshëm i viktimave të koronavirusit në Indi ka shkuar në mbi 100,000 të shtunën, duke u bërë vetëm shteti i tretë në botë që e arrin këtë shifër të zezë, pas Shteteve të Bashkuara dhe Brazilit.
Ministria e Shëndetësisë e këtij vendi njoftoi se numri i viktimave ka shkuar në 100,842, ndërsa shifra e personave të infektuar në 6.47 milionë pas regjistrimit të 79,476 rasteve të reja për një ditë. India e ka rritjen më të madhe të rasteve ditore në botë.
Qeveria e kryeministrit Narendra Modi, e përballur me rrënim të ekonomisë pas vendosjes së masave të rrepta izoluese në mars, po vazhdon me hapjen e vendit me qëllim të rimëkëmbjes ekonomike, shkruan Reuters.
Këtë javë u lejua rihapja e kinemave me gjysmë kapaciteti dhe autoritetet mund të vendosin për rihapjen e shkollave nga mesi i këtij muaji.
Ekspertët shëndetësorë kanë thënë se numri i rasteve në shtetin me mbi 1.3 miliard banorë pritet të rritet për shkak të ardhjes së dimrit dhe një festivali që do të mbahet muajin e ardhshëm.
Bhramar Mukherjee, proferoreshë e biostatistikave dhe epidemiologjisë në Universitetin e Michiganit tha se numri i rasteve të koronavirusit në Indi mund të shkojë në 12.2 milionë në fund të këtij viti.
(Kosova Sot Online)