Zemaj tenton ta ndalë ikjen e mjekëve, angazhon 1500 specializantë

  • E.K /
  • 05 October 2020 - 12:02
Zemaj tenton ta ndalë ikjen e mjekëve, angazhon 1500 specializantë

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se institucioneve të shëndetësisë do t’i shtohen edhe 1 mijë e 500 specializantë të rinj, përfshirë edhe 70 nga Lugina e Preshevës.

Ai deklaroi se përkushtimi i Qeverisë është që asnjë mjek në Kosovë të mos jetë jashtë institucioneve publike.

“Sot dëshirojmë t’ju njoftojmë me planin e ri, dinamikën e re të cilën kemi zhvilluar, dhe hapësirën e krijuar nga Bordi për Shkollim Specialistik dhe vlerësimi ynë i përbashkët gjithmonë duke marrë parasysh nevojat elementare që kanë mjekët e rinj, t’i përfshijmë të gjithë në procesin e specializimit. Të gjithë aplikantët që i plotësojnë kushtet, të bëhet e ditur se Kosova dhe institucionet e saj do të shtojë këtë numër dhe përafërsish 1 mijë e 500 specializantë do t’u bashkëngjiten kolegëve të tyre, në nivelin tonë shëndetësor. Duke përfshirë dhe mbuluar të gjithë nevojat imediate që i hodhi në pah edhe pandemia. Të mos kemi ikje të mjekëve të cilët me mundin dhe sakrificën e prindërve të tyre janë shkolluar dhe angazhuar dhe ne duhet të kujdesemi për ta”, tha Zemaj.

Zemaj shtoi se po ecin në aspektin e ngritjes së kapaciteteve humane, me një dinamikë të shtuar.

“Me ndryshimet e reja legjislative ne po kalojmë në një avantazh tjetër të përfshirjes së specialistëve, përkushtimi i Qeverisë është që asnjë mjek në Kosovë të mos jetë jashtë institucioneve tona publike edhe atë nëse kanë nevoja dhe kërkesa në institucione private. Kështu që në aspektin e ngritjes së kapaciteteve humane po ecim në një dinamikë të shtuar që ndihmon në ngritjen e aspektit të shëndetësisë publike”, tha ai gjatë një konference për media.

(Kosova Sot Online)