Haxhi Avdyli kërkon që hetimet për hidrocentrale të nisin nga Qeveria e LDK’së

  • E.K /
  • 05 October 2020 - 15:14
Haxhi Avdyli kërkon që hetimet për hidrocentrale të nisin nga Qeveria e LDK’së

Në Komisionin hetimor parlamentar lidhur me procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi ka kërkuar nga ky komision që deri në përfundim të punës të pezullohet dhënia e lejeve të kompanive.

Ky komision është duke e shqyrtuar Draft-Planin e Veprimit. Puna e këtij komisioni do të mbaroj pas tre muajve dhe do të veprojë në tri faza, faza e hetimeve, faza e vlerësimit të hetimeve dhe faza e përgatitjes së raportit përfundimtar.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, ka kërkuar që intervistimi të fillojë me Qeverinë aktuale për të kuptuar nëse do t’i vazhdohet leja e përkohshme kompanisë KELKOS.

“Unë kisha dashur që si pjesë të hetimit e intervistimit të fillojmë me Qeverinë aktuale sepse kemi të bëjmë me kompaninë KELKOS së cilës në mesin e këtij muaji i skadon licenca ambientale dhe ne duhet ta dimë si do të veprojë Qeveria dhe të dimë cilat janë planet e tyre për detyrimet që Kelkosi nuk i ka plotësuar”, ka deklaruar ai.

Kryetarja e Komisionit, Eliza Hoxha, ka shpërfaqur një listë të personave dhe institucioneve që duhet të intervistohen. Ndër ta janë ZRRE-ja, ish-ministrat e ambientit, drejtorët e departamenteve për ujëra, pellgje e agjencione të ngjashme. Si dhe Hoxha ka thënë se për intervistim duhet të ftohen edhe kryetarë dhe ish kryetarë të disa Komunave por edhe kompanitë investuese.

(Kosova Sot Online)