Ironike: Vetë Kryetarja e Komisionit Evropian s’e respekton karantinën dyjavore të BE-së

  • E.K /
  • 06 October 2020 - 12:20
Ironike: Vetë Kryetarja e Komisionit Evropian s’e respekton karantinën dyjavore të BE-së

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se do të dalë nga karantina të martën pasi ishte në kontakt me një person që ka dalë pozitiv në testin për Covid-19 një javë më parë, pavarësisht rekomandimeve të BE-së për vetizolim 14-ditor.

Von der Leyen është duke i ndjekur rregullat që vlejnë në Belgjikë, të cilat sapo janë lehtësuar. Megjithatë, vendimi i saj për ta injoruar këshillën më të prerë të BE-së mund t’i dobësojë edhe më tutje thirrjet për një qasje të përbashkët të Bashkimit Evropian në betejën kundër pandemisë.

Zyrtarja 61-vjeçare, e cila është edhe mjeke me profesion, tha se do të qëndrojë në vetizolim deri të martën në mbrëmje pasi një person me të cilin kishte kontakt doli pozitiv në testin për koronavirus të dielën, shkruan The Guardian.

Der Leyen doli dy herë negative në testin për koronavirus, një herë të enjten e kaluar dhe një herë të hënën.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian refuzoi të komentonte për rekomandimet e BE-së për vetizolim, por tha se koha e qëndrimit të kryetares në karantinë është në vijë me rregullat e Belgjikës.

Belgjika, ku ndodhet selia qendrore e Bashkimit Evropian, më 1 tetor vendosi që ta shkurtojë kohën e karantinës nga 14 në shtatë ditë, pavarësisht faktit që ky shtet ka një ndër shkallët më të larta të infeksioneve në Evropë.

Ky vendim është në kundërshtim me këshillën e Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollimin e Sëmundjeve, e cila sugjeron izolim dyjavor për personat që kanë pasur kontakte me njerëzit e konfirmuar si të infektuar me Covid-19.

(Kosova Sot Online)