SHSKUK s’pranon vendimin e Inspektoratit të Punës për shkarkimin e Basri Sejdiut

  • G.G /
  • 06 October 2020 - 13:26
SHSKUK s’pranon vendimin e Inspektoratit të Punës për shkarkimin e Basri Sejdiut

Bordi Drejtues i SHSKUK’së po konsideron se Inspektorati i Punës nuk ka vlerësuar gjendjen faktike lidhur me refuzimin e ankesës së Bordit për shkarkimin e Basri Sejdiut nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK’së.

Në komunikatën për media të Bordit Drejtues të SHSKUK’së thuhet se vendimi i Inspektoratit të Punës do të procedohet tutje tek institucionet kompetente.

“Bordi Drejtues i SHSKUK-së, konsideron që Inspektorati i Punës nuk ka vlerësuar gjendjen faktike në mënyrë adekuate lidhur në këtë çështje, po ashtu, ka vepruar jashtë kompetencave të përcaktuara me Ligjin Nr. 06/L-144  për Zyrtarët Publik, si rrjedhojë do të procedojë këtë rast tek institucionet kompetente, konform dispozitave ligjore”, thuhet në njoftim.

“Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor  Klinik dhe Universitar të Kosovës, njofton se ka pranuar Vendimin me numër 7389, të datës 05.10.2020, nga ana e  Inspektoratit të Punës, përmes së cilit njoftohet se është refuzuar ankesa e Bordit Drejtues, për pezullim të Vendimit të Shkallës së Parë të Inspektoratit të Punës, lidhur me shkarkimin e dr. Basri Sejdiu nga pozita  e drejtorit të përgjithshëm  të ShSKUK-së”, thuhet në njoftim.

Sejdiu ishte shkarkuar në korrik nga kreu i SHSKUK-së, ndërsa ai ishte ankuar në Inspektorat të Punës.

Në shkallën e parë ishte konstatuar një mori shkeljesh në shkarkimin e Sejdiut nga Bordi Drejtues dhe ishte kërkuar kthimi i tij në punë.

Bordi Drejtues u ankua në shkallën e dytë, por ankesa është refuzuar.

“Sot pranova vendimin e shkallës së dytë të Inspektoratit të Punës, që ka hedhur poshtë si të pa bazuar ankesën e Bordit Drejtues të SHSKUK-së, të bërë ndaj vendimit të shkallës së parë të Inspektoratit të Punës, vendim i cili ka anuluar vendimin e Bordit Drejtues të SHSKUK-së për shkarkimin tim nga Drejtori i Përgjithshëm i SHSKUK-së. Vendimi i shkallës së dytë i Inspektoratit të Punës, vërteton vendimin e shkallës së parë të Inspektoratit të Punës dhe rrjedhimisht kërkon kthimin tim të menjëhershëm në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të SHSKUK – së”

“Vendimit i shkallës së parë i Inspektoratit të Punës konstatoi një mori shkeljesh me rastin e shkarkimit tim nga Bordi Drejtues, duke përfshirë procese që nuk ishin në kompetencë të drejtorit të përgjithshëm, duke listuar raporte të auditimeve të brendshme pa relevancë në raport me detyrat dhe përgjegjësitë e drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK dhe shume pretendime tjera të kota, të gjitha me qëllim për të njollosur punën time të madhe dhe të ndershme”

“Vendimi I shkallës së dytë, vërtetoi këto konstatime nga vendimi i shkallës se parë dhe refuzoj ankesën e Bordit Drejtues. Tanimë ndihem krenar se në Republikën e Kosovës, kemi institucione profesionale dhe kredibile, që zbatimi i ligjit është prioritet dhe detyrë mbi detyrat. Kjo është fitore e madhe e drejtësisë dhe profesionalizmit. Pres së shpejti të kthehem në krye të SHSKUK dhe të vazhdojë maksimalisht angazhimin tim në të mirë të ngritjes së sistemit shëndetësorë, në të mirën e qytetarit dhe punëtorit shëndetësorë”, ka shkruar Sejdiu në Facebook.

Aktualisht ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm në SHSKUK është Valbon Krasniqi.

(Kosova Sot Online)