Trumpi anulon bisedimet për pakon ndihmëse, Bideni e akuzon se ua ka kthyer shpinën amerikanëve

  • E.K /
  • 07 October 2020 - 09:51
Trumpi anulon bisedimet për pakon ndihmëse, Bideni e akuzon se ua ka kthyer shpinën amerikanëve

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili ende është duke u trajtuar për Covid-19, papritmas i ndërpreu bisedimet me Demokratët për pakon ndihmëse ekonomike. Ky veprim i tij u kritikua nga rivali politik, Joe Biden, i cili tha se presidenti po i braktis amerikanët në mes të pandemisë.

Njoftimi i Trumpit për ndërprerjen e këtyre bisedimeve ndikoi menjëherë që vlera e aksioneve në Wall Street të shënonte rënie prej 2 për qind, shkruan Reuters.

Përpos Bidenit, kreun e Shtëpisë së Bardhë për këtë vendim e kritikuan edhe disa anëtarë të kongresit nga radhët e Demokratëve si dhe disa republikanë, duke thënë se nevojitet ndihmë për miliona njerëz që i kanë humbur vendet e punës gjatë krizës.

“Presidenti jua ktheu shpinën juve”, shkroi Jobe Biden në Twitter.

Sidoqoftë, në orët e vona të së martës, Trumpi përmes një vargu postimesh në Twitter i bëri thirrje Kongresit që shpejt ta miratojnë dhurimin e 25 miliardë dollarëve për kompanitë ajrore, 135 miliardë dollarëve për bizneset e vogla dhe ndarjen e 1.200 dollarëve për amerikanët. “Unë jam i gatshëm të nënshkruaj mu tani”, shkroi presidenti amerikan.

Përpos presidentit, me koronavirus janë infektuar edhe shumë zyrtarë të lartë amerikanë. Gjenerali i ushtrisë amerikane është vetizoluar pasi zëvendëskomandanti i rojës bregdetare doli pozitiv në testin për Covid-19.

(Kosova Sot Online)