Greqia i shpall fajtorë shtatë liderët e grupit neofashist “Agimi i Artë”

  • G.G /
  • 07 October 2020 - 12:37
Greqia i shpall fajtorë shtatë liderët e grupit neofashist “Agimi i Artë”

Një gjykatë greke i ka shpallur fajtorë udhëheqësit e grupit neofashist “Agimi i Artë” për krijimin e një bande kriminale që shënjestronte kundërshtarët në mënyrë brutale nën petkun e një grupi politik.

Në fund të gjykimit që filloi para më shumë se pesë vjetëve, trupi gjykues, i udhëhequr nga gjykatësja Maria Lepenioti, njoftoi se shtatë udhëheqësit e grupit “Agimi i Artë” shpallen fajtorë për drejtimin e një organizate vdekjeprurëse. Disa të akuzuar të tjerë u shpallën fajtorë për pjesëmarrje në bandë kriminale.

Procesi i gjykimit u përcoll nga mijëra njerëz që u mblodhën para gjykatës. Ata u dëgjuan duke brohoritur “nazistët e kanë vendin në burg”, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express. Shumë prej tyre duartrokitën pasi kuptuan se të akuzuarit janë shpallur fajtorë.

Ish-kryeminsitri majtist grek, Aleksis Tsipras, ishte në mesin e turmës. Ai tha se pas disa vjetëve të mbjelljes së urrejtjes, helmimit të shoqërisë greke dhe orkestrimit të sulmeve vrasëse, fanatikët e “Agimit të Artë” më në fund po përballen me drejtësinë.

“Ata nuk janë të pafajshëm. Ne të gjithë e dimë këtë. Të mërkurën ne duhet të jemi atje për ta thënë këtë qartazi dhe me zë. Ia kemi borxh këtë historisë së këtij vendi, ia kemi borxh demokracisë, ua kemi borxh fëmijëve tanë”, shkroi ai në rrjetet sociale.

E tërë udhëheqësia e këtij grupi, përfshirë disa ish-deputetë, ishte në mesin e 68 të pandehurve të akuzuar për vrasje, posedim të amrëve dhe operim të një bande kriminale.

Personat e akuzuar për drejtim të organizatës kriminale mund të dënohen me më së shumti 15 vjet burgim secili. Nëse shpallen fajtorë edhe për akuza tjera, dënimi me burgim mund të jetë më i gjatë.

Cak i sulmeve të këtij grupi famëkeq ishin imigrantët, aktivistët kundër fashizmit, majtistët dhe homoseksualët.

Ky grup kishte arritur t’i sigurojë 21 ulëse në kuvendin me 300 deputetë, duke u bërë forca e tretë politike në Greqi.

(Kosova Sot Online)