Kosova po i pret vaksinat kundër COVID-19, Ministri Zemaj: 260 mijë do t’i marrim falas

  • G.G /
  • 07 October 2020 - 12:58
Kosova po i pret vaksinat kundër COVID-19, Ministri Zemaj: 260 mijë do t’i marrim falas

Kosova është rreshtuar në pritje të krijimit të vaksinës kundër koronavirusit, që të jetë prej shteteve të para që do ta sigurojnë vaksinimin e popullatës.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, gjatë raportimit në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ka thënë se kanë marrë garanci që Kosovës do t’i jepen falas 260 mijë vaksina kundër koronavirusit, posa ato të kenë dalë në prodhim, ndërsa pjesa tjetër do të blihen me buxhet të shtetit. Zemaj ka thënë se synojnë që ta vaksinojnë 70% të popullsisë së Kosovës, posa të jetë e disponueshme vaksina anti-COVID.

“Sipas planit tonë, synojmë që kur vaksina COVID-19 të jetë e disponueshme, me këtë vaksinë të mbulohet rreth 70% e popullatës sa llogaritet se bijnë në grupin e personave në rrezik. Pra ne presim. Sigurimi është që 260 mijë vaksina të jenë falas, ndërsa pjesën tjetër duhet tasigurojmë nga blerjet, që do të thotë nga buxheti”, ka thënë Zemaj.

Paraprakisht, ai ka treguar se janë në komunikim me shtetet që janë në proces të krijimit të vaksinës kundër koronavirusit si dhe me Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

“Ministria e Shëndetësisë është në komunikim me COVAX dhe po mbajmë kontakte edhe me OBSH-në dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë – sigurisht me vendet që tani veçse kanë hyrë në programin e sigurimit dhe janë shtete anëtare të BE-së – me qëllim mundësinë e sigurimit të vaksinave për gjithë popullatën”, ka thënë Zemaj.

(Kosova Sot Online)