Gjuriq: Hoti po na shantazhon

  • G.G /
  • 07 October 2020 - 13:06
Gjuriq: Hoti po na shantazhon

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Avdullah Hoti.

Të martën pas publikimit të Raportit të Progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor nga Komisioni Evropian, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, foli edhe për dialogun me Serbinë.

Ndër të tjerash, si kurrë më parë, Hoti u tregua i prerë, duke thënë se asgjë nuk do të zbatohet nga arritjet e deritanishme në dialog pa marrëveshjen përfundimtare në kufijtë ekzistues.

“Por vlejnë parimet në procesin e dialogut dhe mbi këtë parim, asgjë nuk pajtohemi nëse nuk pajtohemi për të gjitha dhe asgjë nuk zbatohet nuk fillon së zbatuari deri sa të përmbyllet marrëveshja finale me njohje reciproke. Sepse e kemi ngritur procesin e dialogut jo për një zgjidhje të përkohshme, por për një zgjidhje përfundimtare që e mbyll një herë e përgjithmonë, i normalizon përgjithmonë marrëdhëniet midis dy vendeve”, deklaroi të hënën ndër të tjerash Hoti.

E këto deklarata kanë ngjallur reagime në Serbi. Është pikërisht drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, që ka reaguar duke i cilësuar si shantazh këto deklarata të kryeministrit Hoti.

Sipas tij, kjo është një strategji shantazhuese që po e përdor Hoti dhe se përveç prishjes së dialogut Kosovë-Serbi, kjo deklaratë përmban edhe mesazhin se Kosova nuk është e interesuar për ndonjë normalizim dhe sipas tij, për Kosovën normalizimi është vetëm një mjet për të zhvatur njohjen.

“Hoti po përdor mjetet e shantazheve profesioniste në mënyrë që të përpiqet të sjellë Serbinë dhe Bashkimin Evropian para një akti të kryer duke ofruar një zgjedhje midis bllokimit të dialogut dhe njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia”, deklaroi Gjuriq në një konferencë për medie, transmeton lajmi.net.

Gjuriq ka ftuar bashkësinë ndërkombëtare që të reagojë në lidhje me këto deklarata the siç tha ai, t’i lexojë mirë mes rreshtash këto mesazhe, pasi siç u shpreh Gjuriq, këto deklarata në thelb janë kërcënim që Kosova do të sjellë destabilizim në rajon në rast se Serbia nuk e njeh pavarësinë e saj.

“Për Beogradin, procesi i normalizimit të marrëdhënieve nuk është një mjet, por një qëllim, sepse ne jemi sinqerisht të interesuar që gradualisht të krijojmë një atmosferë në rajon në të cilën mosmarrëveshjet e pazgjidhura nuk do të rezultojnë në armiqësi dhe konflikte”, theksoi Gjuriq.

Sipas tij, nëse Hoti do t’ia dëshironte sinqerisht të mirën popullit dhe të gjithë banorëve të tjerë në Kosovë, ai nuk do të vepronte në këtë mënyrë, por do të punonte me zell për të zbatuar zgjidhje që kontribuojnë në stabilitetin dhe pajtimin në Kosovë.

“Serbët në Kosovë nuk do të jenë peng i Hotit dhe ne do të vazhdojmë të jemi këmbëngulës në përpjekjet tona për të zgjidhur çështjet e hapura në tryezën e bisedimeve, por unë duhet t’u them partnerëve evropianë se situata që po na sjell Hoti me pafytyrësinë e saj politike po bëhet gjithnjë e më absurde. Unë sinqerisht shqetësohem për të ardhmen e dialogut”, deklaroi tutje Gjuriq.

Ai thotë se do të vazhdojnë të këmbëngulin për zbatimin e marrëveshjes së Asociacionit qoftë në Bruksel qoftë edhe në vendet e tjera, pasi që sipas tij, vetëm më zbatimin e Asociacionit mund ta nxjerrë procesin e dialogut nga ky bllokim.

(Kosova Sot Online)