Gjykata e Apelit i lë në paraburgim 30 të arrestuarit në rastin “Karaçeva”

  • E.K /
  • 08 October 2020 - 15:12
Gjykata e Apelit i lë në paraburgim 30 të arrestuarit në rastin “Karaçeva”

Gjykata e Apelit ka vendosur që t’i lë në masën e paraburgimit, 30 të pandehur që ishin arrestuar gjatë operacionit të Policisë së Kosovës në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës.

Përmes një komunikate për media, Apeli ka njoftuar se i ka refuzuar si të pa bazuara ankesat e avokatëve mbrojtës, kundër caktimit të masës së paraburgimit prej një muaji, ndaj 30 të pandehurve.

“Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Gjilan, i datës 20.09.2020, më anë të secilit të pandehurit F.L dhe 29 të tjerëve, iu është caktuar masa e paraburgimit, deri më datën 17 përkatësisht 18 tetor, ka mbetur në fuqi”, thuhet në njoftimin e Apelit.

Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, meqenëse ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit i kanë kryer veprat penale për të cilat po dyshohen, ka bazë ligjore, për caktimin e kësaj mase, ngase ekzistojnë  arsye të forta për të besuar, se me gjetjen e tyre në liri, ata do të mund të ndikojnë në prova apo dëshmitarë dhe këtë formë, të pengojnë rrjedhën normale të procedurës penale, ose mund ta përsërisin veprën penale.

“Gjykata i ka shqyrtuar konform ligjit edhe masat tjera të cilat i parasheh Kodi i Procedurës Penale, por ka konstatuar se ato nuk janë të mjaftueshme për zbatimin me sukses të procedurës penale”, thuhet tutje në komunikatë.

Gjykata Themelore në Gjilan, më 20 shtator 2020, kishte caktuar një muaj paraburgim ndaj 30 të dyshuarve të cilët janë ndaluar gjatë aksionit policorë të realizuar më 18 shtator të këtij viti në fshatin Karaçevë të Kamenicës dhe rajone tjera.

Kjo masë është caktuar pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan.

Sipas shkallës së parë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri F.L., në fshatin Karaçevë, në cilësi të zyrtarit policor, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, në mënyrë të vazhdueshme ka ndihmuar, fshehur dhe nuk ka penguar kryerjen e veprës penale nga ana e të dyshuarve të tjerë, të cilët duke kaluar vijën kufitare kanë shmangur kontrollin doganor, përmes rrugëve ilegale dhe kanë bërë kontrabandimin e mallrave të ndryshme. Gjithashtu, i njëjti, në lokalin e tij në të njëjtin vend, në vazhdimësi ka organizuar lojërat e fatit, të cilat janë të ndaluara me ligj.

Ai dyshohet se ka kryer dy vepra penale ‘’kontrabandimi me mallra’’ dhe ‘’organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Ndërkohë sipas shkallës së parë, të dyshuarit H.K., S.K., I.S., F.K., A.K., F.Z., R.TH., S.G., S.N., S.M. dhe Z.A., në cilësinë e zyrtarëve policorë, në mënyrë të vazhdueshme dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror kanë ndihmuar, lehtësuar, fshehur dhe nuk kanë penguar kryerjen e veprës penale nga ana e të dyshuarve tjerë, të cilët kanë shmangur kontrollin doganor, përmes rrugëve ilegale dhe kanë bërë kontrabandimin e mallrave të ndryshme.

Me këto veprime, të njëjtit dyshohet se kanë kryer veprën penale ‘’Kontrabandimi me mallra’’, të KPRK-së.

“Të pandehurit D.S., A.Th., A.S., B.S., F.S., A.S., N.K., S.D., B.S, F.S., Sh.S., E.K., F.S., V.S., dyshohet se kanë kryer veprat penale ‘’Kontrabandimi me mallra’’, pasi në bashkëpunim mes vete dhe zyrtarët e dyshuar policorë, në mënyrë të vazhdueshme kanë shmangur kontrollin doganor dhe përmes rrugëve ilegale kanë bërë kontrabandimin me mallra”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Tutje sipas njoftimit, të pandehurit Y.F., RR.G., N.Ç. dhe L.G., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, kanë bërë organizimin e lojëra të fatit, të cilat janë të ndaluara me ligj, ku me këto veprime të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘’Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’’, të KPRK-së.

“Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, Ramiz Azizi, i cili ka dhënë urdhër për hetimin dhe bastisjen në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës, pas mbajtjes së seancës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, pasi që caktimi i masave tjera alternative do të pengonin zhvillimin normal të procedurës penale”, thuhet në komunikatë.

(Kosova Sot Online)