Veseli viziton Busavatën, kërkon nga Kastrati hapjen e shkollës

  • A.P /
  • 08 October 2020 - 20:56
Veseli viziton Busavatën, kërkon nga Kastrati hapjen e shkollës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka vizituar shkollën “Hasan Prishtina”, në Busavatë të Kamenicës, ku e ka ftuar kryetarit e kësaj komune, Qëndron Kastrati, që të reflektojë për hapjen e kësaj shkollë, dhe t’u jepet mundësi nxënësve që të fillojnë mësimin.

“Unë nga kjo shkollë e cila ka një emër simbolik ‘Hasan Prishtina’, i cili në fakt e ka shkrirë pasurinë e vet, ka quar djemtë e Kosovës në shkollat e para shqipe të asaj kohe në normalen e Elbasanit, kisha ftuar edhe kryetarin e Komunës së Kamenicës, Qëndronin, që mos ta merr si mesazh as të luftës politike, as inati me drejtorin, as me mësuesin, as me Busavatën, por të reflektojë në mënyrën që t’i jepet mundësia kësaj klase, ku do ta kemi klasën e parashkollorëve, të vijnë fëmijët këtu, le të vijnë nxënësit në Busavatë, për arsye se, tek e fundit ligji bëhet veç për njerëz, për të mirën e qytetarëve”, ka thënë Veseli.

Veseli ka bërë thirrje që të kthehen nxënësit sa me shpejtë në bankat e tyre, sepse është e domosdoshme, pasi shkolla ende është e re.

“Duhet me u kthye nxënësit sa më shpejt këtu, me e gjet një gjuhë të arsyeshme të komunikimit me prindërit, me fëmijët, me stafin arsimor… sa më shpejt të i rikthehen normalitetit, është mirë për kryetarin, është mirë për ministrinë e arsimit, dhe është e domosdoshme, sepse kjo shkollë vetëm sa është ndërtuar, ende është era e gëlqeres”, ka thënë Veseli.

Veseli ka thënë se çdo ditë po ka provokime nga ana e serbeve që po futën në pika kufitare, dhe kjo duhet të shërbej si mesazh që fëmijët mos të dekurajohen, por të lejohen vazhdojnë mësimin.

“Sonte jam për një mesazh, këtu në Busavatë, në Kamenicë, zonën kufitare ku çdo ditë po kemi provokime nga Serbia, futja e xhandarmerisë serbe, në territorin e Republikës së Kosovës, që fëmijët mos të dekurajohen në vazhdimin e shkollave të tyre, vendet ku janë pika kufitare, të inkurajohen fort prindërit, dhe fëmijët të jetojnë në ato pjesë për arsye se janë interes strategjik i Republikës së Kosovës që të qëndrojnë ata fëmijë, ato familje, pikërisht në vendet e tyre siç është këtu në Busavatë, në Kamenicë dhe gjithë hapësirat që janë kufitare, po flas edhe në kufi, pjesën ma thelbësore, në pjesën jugore të Republikës sonë, do të thotë nga kufiri me Shqipërinë, për arsye se është interes strategjik i yni”, thotë ai.

Ndërsa drejtori i shkollës “Hasan Prishtina”, Abedin Maliqi me lot në sy thotë se kur kishte filluar ndërtimi i kësaj shkolle për të kishte qenë gëzimi më i madh.

“Kërkesa e jonë është shumë e thjeshtë, vetëm normalizimi i gjendjes në shkollën tonë. Siç po e shihni ne tash kemi shkollën e re, dhe kjo është për çudi, dhe nuk besoj të ketë ndodh dikund në botë një vendim i tillë ku Ministria e Arsimit investon, për të ndërtuar objektin e shkollës, të cilën me 15 gusht mi kanë dorëzuar çelësat mua, për kundër faktit që Qëndron Kastrati ka reaguar pse jam përgjegjës, unë se di kush ka mujtë me kanë ma përgjegjës,.. ku në jetën time gëzim ma të madh as kur më kanë lindë fëmija nuk kam pas se sa atë ditë kur është nisë themeli i kësaj shkolle”, ka thënë Maliqi.

Banorët e fshatit Busavatë, mësimdhënësit dhe nxënësit e shkollës fillore “Hasan Prishtina” disa herë kanë protestuar, për shkak të reformave arsimore të ndërmarra nga kryetari Qëndron Kastrati, e të cilat ndikuan në mbylljen e disa shkollave në këtë komunë.

(Kosova Sot Online)