Ulen tensionet, Armenia e Azerbajxhani pajtohen për bisedime të paqes në Moskë

  • G.G /
  • 09 October 2020 - 10:15
Ulen tensionet, Armenia e Azerbajxhani pajtohen për bisedime të paqes në Moskë

Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë ka thënë se Armenia dhe Azerbajxhani kanë konfirmuar se kryediplomatët e tyre do të marrin pjesë në bisedimet e ndërmjetësuara nga homologu i tyre rus në Moskë.

“Bakuja dhe Yerevani e konfirmuan pjesëmarrjen e tyre në bisedime në Moskë. Përgatitjet aktive janë duke u zhvilluar”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Maria Zakharova, raporton agjencia Reuters.

Ndryshe, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i ka ftuar të premten ministrat e Punëve të Jashtme të Armenisë dhe Azerbajxhanit për të zhvilluar bisedime të paqes në Moskë.

“Presidenti i Rusisë do të bëjë një thirrje për ndërprerjen e luftimeve në Nagorno-Karabak për arsye humanitare me qëllim të shkëmbimit të trupave të pajetë dhe të të burgosurve”, thuhet në deklaratën e Kremlinit.

Sipas kësaj deklarate, kreu i Federatës Ruse ka zhvilluar një varg bisedash përmes telefonit me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, dhe kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinyan, shkruan Anadolu.

Në deklaratë bëhet e ditur se nëse palët i përgjigjen pozitivisht ftesës, në bisedime do të ndërmjetësojë ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov.

Përleshja e përgjakshme mes dy ish-republikave sovjetike filloi më 27 shtator dhe ende nuk është ndërprerë, pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar dhe fuqive të mëdha për armëpushim të menjëhershëm.

Presidenti i Azerbajxhanit ka thënë se në procesin e paqes duhet të jetë e përfshirë edhe Turqia, e cila haptazi e ka kundërshtuar dhe kërcënuar Armeninë, duke kërkuar nga ky vend që t’i tërheqë trupat nga rajoni i konfliktit.

(Kosova Sot Online)