E pazakontë, polici i vendosi gjobë për triçiklin, qytetari i thyen nofullën

  • E.K /
  • 09 October 2020 - 10:23
E pazakontë, polici i vendosi gjobë për triçiklin, qytetari i thyen nofullën

Një ngjarje sa e pazakontë aq edhe e rëndë ka ndodhur në qendër të qytetit të Shkodrës pasi një qytetar ka goditur rëndë punonjësin e policisë vendore të Shkodrës Hysni Idrizi. Shtetasi është identifikuar nga policia dhe ai është Indrit Shtegu.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen ‘Parrucë’ në orët e pasdites. Shtegu, i cili është shpallur në kërkim ka parkuar në kundërvajtje mjetin triçikël në lagjen ‘Parrucë’ duke e vendosur në një parkim dysh. Në atë moment efektivi Idrizi është gjendur aty dhe i ka vendosur një gjobë drejtuesit për parkim në kundërvajtje.

Në atë moment Shtegu ka debatuar me efektivin e policisë, Idrizi dhe pas debatit të tyre e ka goditur në fytyrë me grushte ndërsa mësohet se e ka dëmtuar konsiderueshëm. Pas kësaj ngjarje efektivi i policisë, Idrizi është dërguar në spitalin rajonal të Shkodrës ndërsa mësohet se ka thyer nofullën dhe është nën kujdesin e mjekëve. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forca të tjera të policisë duke nisur hetimet për ngjarjen e rëndë të ndodhur në qendër të qytetit.

Nga kontakti i policisë me familjarët mësohet se këto të fundit janë shprehur duke i thënë efektivëve se Shtegu ka probleme të shëndetit mendor megjithatë kjo mbetet për t’u verifikuar. Tashmë policia vijon kërkimet për arrestimin e Shtegut, i cili akuzohet për veprën penale “goditje për shkak të detyrës ndaj punonjësit të policisë” si dhe “kundërshtim me forcë i punonjësit të policisë”.

(Kosova Sot Online)