Arben Gashi: Vetëvendosje na izoloi plotësisht, ne duam hapje, zhvillim e siguri

  • E.K /
  • 09 October 2020 - 12:24
Arben Gashi: Vetëvendosje na izoloi plotësisht, ne duam hapje, zhvillim e siguri

Shefi i grupit parlamentar të LDK’së, Arben Gashi ka krahasuar Qeverisjen Kurti me Qeverisjen Hoti, duke thënë se në këto 100 ditë qeverisje, Kosova ka pasur përparim në shumë fusha.

Gashi para deputetëve ka thënë se duhet të shikohet se ku ishim dhe ku jemi tashmë më Qeverinë Hoti.

“Ta kujtojmë pak se ku ishim, në kërcënimet me letrat nga BE’ja për tërheqjen e ushtrisë nga Kosova, ishim aty ku na u tha se janë ngrirë fondet e mileniumit, me një situatë që e krijuam vetë për 50 ditë të gabuara dhe ku jeni sot. Sot jemi aty ku Kosova shënohet në rrugë rajonale, dalja në Adriatik dhe në Durrës e Selanik do të jetë përmes Kosovës, sepse sistemi hekurudhor do të kalojë përmes Kosovës edhe nga Durrësi edhe nga Selaniku, sepse gazsjellësit rus nuk do të jenë më në rajon po do të jenë gazsjellësit amerikan. Sepse Kosova konsiderohet partner serioz në BE”, ka thënë Gashi.

“Po kqyrim pak se ku ishim në sistemin e shëndetësisë, ishim në izolim total, kishim me dhjetëra mjek sepse ishin të infektuar, kishim një sistem para kolapsit. Ku jemi sot, sot kemi angazhimin e 1 mijë e 500 specializantëve. Është qasje destruktive, kjo do të marrë ndëshkimin e merituar. Qindra milionë euro nuk kanë mundur që të aktivizohen për shkak të këtij gabimi tuaji, shumë shpejt do t’i vijë fundi”, ka thënë shefi i grupit parlamentar të LDK’së.

“Këto janë projekte që e nderojnë këtë vend. Është e vërtetë që Kosova ka nevojë më shumë e jemi situatë të rëndë, por, mos harroni ku ishim në izolim total, total izolim, antikushtetues. Bash për 100 ditë këto janë veprime zotni, kujtoni ato ditë që ishim të izoluar në të gjitha aspektet. Ky ishte projekti juaj izolim, ky është projekti jonë, hapje”, ka shtuar ai.

(Kosova Sot Online)